Trump nis turneun në Gjirin Persik me fokus te marrëveshjet ekonomike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të martën në mëngjes do të mbërrijë në Arabinë Saudite, ku do të nisë një udhëtim katërditor nëpër rajonin e Gjirit Persik, me fokus kryesor në marrëveshje ekonomike dhe jo në krizat e sigurisë që kanë përfshirë rajonin.

Trump, i cili po udhëton i shoqëruar nga një listë udhëheqësish të fuqishëm të biznesit amerikan përfshirë këtu edhe drejtorin ekzekutiv të Teslas dhe këshilltarin e tij, Elon Musk, do të ndalet fillimisht në Riad, ku po mbahet Forumi i Investimeve Arabo-Amerikane.

Udhëtimi i presidentit amerikan do të vazhdojë të mërkurën në Katar, ndërsa të enjten do të jetë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Mund të udhëtoj të enjten në Turqi për bisedime të mundshme ballë për ballë midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky,” ka deklaruar Trump, duke lënë të hapur mundësinë e ndërmjetësimit në një prej konflikteve më të mëdha që po tronditë sigurinë globale.

Ndërkohë që tensionet në rajon mbeten të larta – nga lufta në Gaza deri te kërcënimi i përshkallëzimit të programit bërthamor të Iranit – burime pranë administratës amerikane bëjnë të ditur se prioriteti i këtij turi do të jetë forcimi i lidhjeve ekonomike dhe nxitja e investimeve dypalëshe.