Arrestohen 18 zyrtarë të Komunës së Stambollit

Një gjykatë turke ka burgosur 18 punonjës të Komunës së Stambollit, të cilët po presin gjykimin nën akuza për korrupsion, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.

Njoftimi vjen në mes të shtypjes së opozitës në Turqi dhe pas arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Imamoglu, rivali kryesor politik i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, u burgos në mars dhe tani po pret gjykimin nën akuza për korrupsion. Ai po ashtu akuzohet se ka ndihmuar një grup terrorist. Imamoglu i ka mohuar të gjitha akuzat dhe arrestimi i tij nxiti protestat më të mëdha në Turqi në dekadën e fundit, trazira dhe akuza për gjyqësor të politizuar. Qeveria turke mohon të gjitha këto pretendime dhe thotë se gjyqësori është i pavarur.