Rubio: SHBA-ja do të tërhiqet nëse s’ka propozime konkrete nga Ukraina dhe Rusia

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të martën se tashmë ka ardhur koha për propozime konkrete nga Rusia dhe Ukraina për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ai paralajmëroi se nëse nuk ka përparim në negociata, SHBA-ja do të tërhiqet si ndërmjetësuese, deklaroi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.

“Tani jemi në një moment kur dy palët duhet të paraqesin propozime konkrete për mënyrën se si të përfundojë ky konflikt”, tha Bruce, duke cituar një deklaratë të Rubios.

“Se si do të veprohet më tej është tashmë një vendim që i përket Presidentit. Nëse nuk ka përparim, ne do të tërhiqemi si ndërmjetësues në këtë proces”, shtoi ajo.

Kjo deklaratë vjen në të njëjtën ditë kur Kremlini refuzoi propozimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një armëpushim 30-ditor në vend të armëpushimit të propozuar nga homologu i tij rus, Vladimir Putin, për tre ditët kur shënohet Dita e Fitores në Rusi, nga 8 deri më 10 maj.

Përpjekjet për të arritur një armëpushim dypalësh ose një marrëveshje më të gjerë paqeje u përshpejtuan pasi presidenti amerikan, Donald Trump, mori detyrën në janar, duke premtuar se do ta përfundonte luftën brenda 24 orëve.

Paraardhësi i tij, Joe Biden, refuzoi të angazhohej në bisedime të thella me Moskën për aq kohë sa pushtimi vazhdon.

Megjithëse Trump ka hapur bisedime të drejtpërdrejta me Moskën, zyrtarët rusë kanë kërkuar të zgjerojnë negociatat për të përfshirë jo vetëm konfliktin në Ukrainë, por edhe marrëdhëniet më të gjera dypalëshe midis Uashingtonit dhe Moskës.

Rusia dhe Ukraina ranë dakord për një armëpushim të kufizuar në mars, por të dy palët kanë vazhduar të sulmojnë njëra-tjetrën. Në fushëbetejë, forcat ruse kanë shfrytëzuar përparësinë, si në numër njerëzish ashtu edhe në armatim, për të lodhur trupat e Ukrainës.

Putin ka deklaruar më parë, gjatë negociatave mbi propozimin amerikan, se plani i armëpushimit duhet të përmbajë klauzola që ia ndalojnë Ukrainës ta përdorë pauzën për t’u riorganizuar dhe për t’u armatosur, si dhe ndalimin e furnizimeve me armë nga Perëndimi për Kievin. Ai nuk ka ofruar asnjë kompromis nga ana e Rusisë në këmbim.

Gjatë fundjavës, në margjinat e funeralit të Papa Françeskut në Vatikan, Trump pati takimin e tij të parë ballë për ballë me Zelenskyn që nga shkurti, kur bisedimet në Zyrën Ovale dështuan mes tensioneve.

Trump tha se takimi kishte shkuar mirë, por shtoi se mendonte se Zelensky ishte i gatshëm të dorëzonte Gadishullin e Krimesë të Ukrainës te Rusia si një kompromis – diçka që udhëheqësi ukrainas ka deklaruar prej kohësh se nuk do ta bënte kurrë.

Më vonë, Trump i bëri thirrje Putinit të “ndalojë të shtënat” dhe të pranojë një marrëveshje paqeje. /REL