Von der Leyen në Kongresin e PPE: Vetëm një BE e fortë mund të mbrojë paqen në Europë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë një deklaratë të fortë në Kongresin e Partisë Popullore Europiane (PPE) në Valencia, ku theksoi rëndësinë e forcimit të mbrojtjes së përbashkët evropiane përballë kërcënimit që, sipas saj, paraqet Rusia.

“Qytetarët janë në shumicë dërrmuese pro mbrojtjes evropiane”, u shpreh presidentja e KE. Von der Leyen, duke nënvizuar se shumica dërrmuese e qytetarëve të Bashkimit Evropian mbështesin rritjen e kapaciteteve të përbashkëta të mbrojtjes.

Ajo kritikoi ashpër të majtën dhe të djathtën ekstreme për qëndrimet e tyre kundër këtij vizioni:

“E majta ekstreme dhe e djathta ekstreme nuk janë në favor të paqes. Ata janë vetëm në favor të Putinit,” u shpreh ajo.

Investime të mëdha për sigurinë evropiane

Presidentja e Komisionit vuri në dukje se kërcënimi nga Rusia është real dhe i vazhdueshëm, ndaj Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet. Ajo përmendi investime të mëdha që janë vënë në lëvizje:

“Deri në 800 miliardë euro investime për mbrojtjen tonë të përbashkët”, tha von der Leyen, duke kujtuar diskutimet në Kongresin e mëparshëm të PPE-së në Bukuresht.

Mbështetje e palëkundur për Ukrainën

Duke folur për agresionin rus dhe nevojën për një paqe të qëndrueshme, von der Leyen ritheksoi mbështetjen e plotë për Ukrainën:

“Për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën. Me presion të shtuar ndaj Rusisë. Dhe po, me një rrugë të qartë për pranimin e Ukrainës në Bashkimin tonë.”

Ajo përfundoi fjalimin me një mesazh të fuqishëm: “Liria juaj është liria jonë. Siguria juaj është siguria jonë. Dhe e ardhmja juaj është në Unionin tonë.”