Zelensky i përgjigjet Trump: Krimea është Ukrainë dhe qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se Ukraina nuk e ka braktisur kurrë Krimenë, e pushtuar nga Rusia që prej vitit 2014.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar: vetëm populli i Ukrainës ka të drejtë të vendosë se cilat territore janë ukrainase”, u shpreh Zelensky nga Kievi. Ai theksoi gjithashtu se Kushtetuta e Ukrainës përcakton qartë se territoret e pushtuara përkohësisht nga Rusia i përkasin shtetit ukrainas.

Reagimi i presidentit ukrainas vjen pas intervistës së Trump për revistën TIME, ku ky i fundit sugjeroi edhe një plan paqeje që, sipas raportimeve, përfshin dorëzimin e rreth 20% të territorit të Ukrainës në favor të Rusisë.

“Mendoj se lufta nisi kur filluan të flisnin për anëtarësim në NATO”, tha Trump, duke shtuar gjithashtu se “Krimea do të mbetet në Rusi”.

Ndërkohë, bisedimet e mbajtura këtë javë në Londër nuk sollën asnjë përparim, megjithëse ka sinjale se Rusia mund të jetë e hapur për diskutime të reja. Sipas burimeve, kjo mund të jetë një nga temat që u diskutua në takimin e së premtes mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit të Trump.

Takimi i fundit zyrtar mes Ukrainës dhe Rusisë daton në vitin 2022, pak javë pas fillimit të luftës. Pas ndërprerjes së atyre bisedimeve, Zelensky ka refuzuar çdo komunikim të mëtejshëm me presidentin rus