Njeriu i Putinit përmendi sulmin bërthamor dhe Luftën e Tretë Botërore gjatë një interviste

Rusia ruan të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast të agresionit nga vendet perëndimore, ka deklaruar sot Sergej Shoigu, një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë në Moskë, gjatë një interviste për agjencinë shtetërore ruse TASS.Shoigu gjithashtu paralajmëroi se dërgimi i forcave të huaja paqeruajtëse në territorin e Ukrainës – që Moska e konsideron pjesë të “tokave të saj historike” – mund të shkaktojë shpërthimin e një lufte të tretë botërore.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidenti J.D. Vance kanë bërë të ditur se SHBA mund të tërhiqet nga përpjekjet për të arritur një marrëveshje paqeje në Ukrainë, nëse nuk arrihet përparim i shpejtë në negociata.Që kur Trump ka marrë detyrën në janar, ai ka ndryshuar tërësisht kursin e politikës amerikane ndaj luftës, duke ushtruar presion mbi Ukrainën për të pranuar një armëpushim dhe duke ulur presionin ndaj Rusisë.
Paqeruajtës apo okupatorë?Shoigu theksoi se një “koalicion vullnetarësh” nga Perëndimi po përgatitet të dërgojë trupa tokësore në Ukrainë nën petkun e një misioni paqeje. “Politikanët e arsyeshëm evropianë e kuptojnë se zbatimi i këtij skenari mund të çojë në një përplasje të drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë, madje edhe në një luftë botërore”, tha ai.

Ai i quajti këto trupa të mundshme “okupatorë”, duke pretenduar se ato synojnë të marrin kontrollin mbi burimet natyrore të Ukrainës dhe të mbështesin atë që ai e cilësoi si “regjim nazist” në Kiev. Sipas Shoigut, ata gjithashtu do të kontribuonin në përndjekjen e besimtarëve ortodoksë dhe shtypjen e gjuhës dhe kulturës ruse në Ukrainë.“Kjo nuk do të ishte një mision paqeje,” përfundoi Shoigu, duke shtuar se shumica globale ka qëndruar e përmbajtur ndaj iniciativave të tilla.
Kërcënimi bërthamor dhe doktrina ruseShoigu, ish-ministër i mbrojtjes për më shumë se një dekadë dhe tani kryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, rikujtoi gjithashtu se doktrina e sigurisë kombëtare të Rusisë parashikon përdorimin e armëve bërthamore në rast të një kërcënimi serioz ndaj integritetit territorial apo sovranitetit të vendit.
Ai theksoi se strategjia e Rusisë përfshin “masa simetrike dhe asimetrike” si përgjigje ndaj çdo shteti apo aleance ushtarake që e konsideron Rusinë si armike dhe posedon armë të shkatërrimit në masë apo kapacitete të fuqishme ushtarake konvencionale.Në kushte të reja, Rusia mund të konsiderojë një sulm bërthamor si përgjigje ndaj një sulmi konvencional ndaj vetë Rusisë apo aleatit të saj, Bjellorusisë, nëse ai sulm do të paraqiste një kërcënim kritik për sovranitetin ose integritetin territorial të tyre.
“Çdo veprim armiqësor nga shtetet e huaja që kërcënon sovranitetin e Federatës Ruse do të trajtohet me masa të nevojshme për t’u parandaluar dhe për të shmangur përsëritjen e tyre,” përfundoi Shoigu.