BDI me kumtesë të dytë: Thirrje për të gjithë deputetët që prej nesër të nënshkruajnë kërkesën për krijimin e një Komisioni Mbikëqyrës Parlamentar

Sot, Grupi Parlamentar i Frontit Evropian ka dorëzuar një kërkesë formale drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim që të marrë informacion të detajuar mbi rrethanat, veprimet e institucioneve kompetente dhe qasjen selektive në procesin hetimor lidhur me tragjedinë që ndodhi në Koçanë, ku humbën jetën 59 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.

Kërkesa është bazuar në nenin 205, pika 2 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përfshin disa pyetje të rëndësishme, të cilat kërkojnë shpjegime nga Qeveria, Ministria e Brendshme, Prokuroria Publike dhe institucione të tjera për:

1. Inspektimet dhe masat parandaluese që janë marrë para tragjedisë.
2. Veprimet e organeve të rendit dhe emergjencës në ditën e ngjarjes.
3. Detaje rreth hetimit dhe qëndrueshmërisë të procesit hetimor.
4. Qasjen selektive në hetim.
5. Masat që janë marrë për të siguruar një hetim të pavarur dhe transparent.

Po ashtu, do të kërkojmë që kjo çështje të shqyrtohet urgjentisht në seancën e ardhshme të Kuvendit dhe kërkojmë praninë e funksionarëve të lartë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve.

Ky informacion i paraprinë iniciativës së dytë për krijimin e një Komisioni të Pavarur
Parlamentar me mbikëqyrje ndërkombëtare për të mbikëqyrur drejtpërdrejt të gjithë procesin e hetimit dhe të sigurojë që drejtësia të trajtojë këtë ngjarje tragjike pa ndikime politike.

Kjo është një mundësi e rëndësishme për të ndihmuar në rigjallërimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet tona.

Andaj, apelojmë tek të gjithë deputetët e të gjitha grupeve parlamentare që nga nesër të nënshkruajnë këtë kërkesë dhe iniciativë, nëse ata mendojnë se është e nevojshme një mbikëqyrje e pavarur mbi këtë situatë tepër të ndjeshme që po kalon vendi, me qëllim që të sigurohet drejtësia për viktimat dhe të rikthehet besimi i qytetarëve në sistemin tonë të drejtësisë.

Ky është një moment kritik për të gjithë ne dhe për të gjithë qytetarët, për të treguar se ne e vlerësojmë drejtësinë dhe shtetin e së drejtës.
Përkrahja e deputetëve nga të gjitha grupe parlamentare është thelbësore në këtë proces.

Grupi Parlamentar i Frontit Evropian