Skandali me Fondin Shëndetësor, reagon Geriana Arapi nga “Sante Plus”: Nuk jam arrestuar

Pas raportimeve në media për skandalin në Fondin e Sigurimit Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut, ku janë arrestuar disa persona dhe në mesin e emrave të përmendur është edhe pronari i rrjetit spitalor “Sante Plus”, Bilal Kara dhe Geri Arapi. ka reaguar publikisht vetë Geri Arapi.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Arapi ka hedhur poshtë raportimet dhe pretendimet e publikuara ndaj saj dhe Bilall Karas duke i cilësuar ato si të pavërteta.

“Çfarë keni lexuar NUK është e vërtetë!”, shkruan Arapi në reagimin e saj.

Ajo thotë se prej gati një viti emri dhe personaliteti i saj po përballen vazhdimisht me publikime, akuza dhe lajme që, sipas saj, cenojnë dinjitetin, integritetin dhe reputacionin e saj personal.

“Përmes këtij reagimi dëshiroj t’i informoj të gjithë familjarët, miqtë dhe njerëzit që më njohin e më vlerësojnë, se asnjë nga këto pretendime dhe lajme të publikuara NUK është e vërtetë”, thuhet në deklaratën e saj.

Arapi u bën thirrje familjarëve, miqve dhe njerëzve që e njohin që të mos ndikohen nga informacionet e pakonfirmuara dhe publikimet që, sipas saj, nuk pasqyrojnë realitetin.

“E vërteta nuk mund të zëvendësohet nga spekulimet dhe as reputacioni i një personi nuk duhet të bëhet objekt i lajmeve të pavërteta”, thekson ajo.

Në fund të reagimit, Arapi sqaron se deri më tani ka zgjedhur të mos përgjigjet ndaj çdo publikimi, por përsëritja e pretendimeve e ka shtyrë të bëjë këtë sqarim publik.

Ndryshe sot me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjykata ka miratuar dy masa ndaj të dyshuarve: marrjen e përkohshme të dokumenteve të udhëtimit dhe obligimin për t’u paraqitur rregullisht në gjykatë.

Hetimet për këtë rast u intensifikuan pas aksionit policor të 29 tetorit, i zhvilluar në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, ku u arrestuan tetë persona. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal ndaj gjithsej 11 personave fizikë dhe një subjekti juridik.

Sipas dyshimeve të paraqitura në kallëzimin penal, dy ish-drejtorë të Fondit për Sigurim Shëndetësor, në bashkëpunim me persona përgjegjës të spitalit privat, gjatë vitit 2020 kanë lidhur marrëveshje duke mos respektuar procedurat dhe rregulloret e brendshme të Fondit./TS/

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo