Rama paralajmëron “bllokimin” e rrjeteve sociale për të miturit: Në diskutim kufizimi deri në 16 apo 18 vjeç!

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nisjen e një procesi konsultimi me mësuesit, prindërit dhe shkollat për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale. Në diskutim do të jetë edhe përcaktimi i moshës deri në të cilën mund të vendosen këto kufizime, 16 apo 18 vjeç.

Gjatë tryezës së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama u ndal te ndikimi që rrjetet sociale kanë në jetën e të miturve, duke theksuar se përdorimi i tyre ka nxitur izolimin dhe vetminë, si dhe ka zbehur kufirin mes botës reale dhe asaj virtuale.

Kryeministri përmendi gjithashtu përfundimet e psikologëve, sipas të cilëve shumë të mitur e perceptojnë botën virtuale sikur të mund të hynin fizikisht në një PlayStation. Sipas tij, kjo situatë kërkon një qasje të re për mbrojtjen e fëmijëve dhe nxitjen e socializimit në jetën reale.

“Kjo situatë e re e gatuar me vite në Evropë dhe Shqipëri, si rezultat i arsyeve që janë ca të ngjashme aq edhe të ndryshme, kërkon një qasje të re ndaj gjthçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve.

Është e qartë që rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike në një hapësirë sociale të përbashkët dhe kanë stimuluar një kapërcim të kufijve mes reales dhe virtuales në pikën që kanë nxjerrë psikologët në konkluzionin që shumë nga këta të mitur e konsiderojnë një mundësi të tillë si një mundësi për të hyrë fizikisht në një PlayStation.

Duhet hapur debati se si dhe kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjete sociale të të miturve dhe deri në cilin kufi moshe 16 apo 18 vjeç që të mos kenë më asnjë mundësi që të kenë rrjetet e tyre sociale individuale. Do të fillojmë një konsultim kur na u desh të kufizojmë TikTok, një diskutim me mësuesit, prindërit dhe shkollat për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit”, tha Rama.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se konsultimi do të nisë me mësuesit, prindërit dhe shkollat, ndërsa mosha dhe kriteret konkrete për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit mbeten pjesë e diskutimit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo