LSDM: Do të përdorim të gjitha mekanizmat për të siguruar drejtësi jo selektive dhe llogaridhënie për tragjedinë e Koçanit

Mbrëmë u mbajt seanca e Këshillit Qendror të LSDM-së për të diskutuar për gjendjen aktuale në vend pas tragjedisë më të rëndë që goditi Maqedoninë dhe në të cilën humbën jetën 59 persona, njoftojnë nga LSDM.

“Konkluzioni i Këshillit Qendror të LSDM-së është se rrjedha e deritanishme e hetimeve tregon se po zhvillohet në mënyrë selektive dhe është fokusuar vetëm në të kaluarën, vetëm në ish-funksionarët dhe nëpunësit civilë, ndërsa zyrtarët aktualë dhe nëpunësit civilë nuk janë përfshirë fare, edhe pse kanë qenë në detyrë ditën kur ka ndodhur tragjedia.

Selektiviteti nuk është drejtësi, por padrejtësi dhe thellon mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe gjyqësorit. Duke marrë parasysh seriozitetin e tragjedisë dhe pasojat e rënda me një numër të madh viktimash dhe të plagosurish, është e papranueshme kryerja e hetimeve në mënyrë selektive.

LSDM insiston në një hetim jo selektiv, të pavarur dhe të plotë, në të cilin të gjithë do të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit. LSDM do të kundërshtojë çdo selektivitet, mbrojtje të zyrtarëve aktualë, apo individëve të afërt me pushtetin. Para ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë”, thonë nga LSDM.

Nga atje thonë se në këtë drejtim, LSDM-ja do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat institucionalë dhe demokratikë, edhe në Kuvendin e Maqedonisë, përmes Komisionit Hetimor në momentin e duhur, për të vërtetuar faktet, por edhe përgjegjësinë politike për tragjedinë e ndodhur në Koçan.