SHBA pezullon operacionet kibernetike kundër Rusisë, Sekretari i Mbrojtjes e mori vendimin para takimit Trump-Zelensky
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka urdhëruar Komandën Kibernetike të Pentagonit të ndalojë operacionet kundër Rusisë.
Masa është me sa duket pjesë e një përpjekjeje për të angazhuar presidentin rus Vladimir Putin në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të kthyer një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe, sipas New York Times.
Udhëzimet e Hegseth, pjesë e një rivlerësimi më të gjerë të të gjitha operacioneve kundër Rusisë, nuk janë shpjeguar publikisht. Por ato u publikuan përpara shpërthimit të Donald Trump në Zyrën Ovale gjatë një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky më 28 shkurt.
Shtrirja dhe kohëzgjatja e saktë e vendimit të Departamentit të Mbrojtjes nuk janë sqaruar, pasi kufiri midis operacioneve kibernetike sulmuese dhe mbrojtëse shpesh është i keqpërcaktuar.
Megjithatë, ruajtja e aksesit në rrjetet kryesore ruse për qëllime spiunazhi është thelbësore për të kuptuar synimet e Vladimir Putin teksa ai hyn në negociata, por edhe për monitorimin e argumenteve të Moskës se në cilat kushte duhet të këmbëngulin dhe çfarë mund të pranohen.
Ish-zyrtarët thanë se ishte e zakonshme që liderët politikë të urdhëronin pauza në operacionet ushtarake gjatë negociatave të ndjeshme diplomatike për të shmangur prishjen e tyre. Por për Donald Trump dhe Pete Hegseth, tërheqja nga operacionet agresive kibernetike kundër objektivave ruse është një lojë e madhe.
Në thelb, qeveria amerikane po beson te presidenti rus që të tërheqet nga kjo “luftë në hije” e vazhdueshme, kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj tradicionalë në Evropë.