Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka kërkuar nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin që të takohen në mënyrë që t’i jepet fund luftës.
Këto deklarata, sipas “The Telegraph” ai i ka bërë të premten mbrëma para gazetarëve.
“Mendoj se presidenti Putin dhe presidenti Zelensky do të duhet të takohen. Sepse e dini çfarë? Duam ta ndalojmë vrasjen e miliona njerëzve” – ka thënë ai, transmeton Nacionale.
“Zelensky duhet të lëvizë shpejt ose do të mbetet pa shtet,” – kështu shkroi Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në një postim në Truth Social gjatë kësaj jave.
Duke e cilësuar Zelenskyn si “diktator”, Trump shkroi: “Unë e dua Ukrainën, por Zelensky ka bërë një punë të tmerrshme, vendi i tij është i shkatërruar dhe MILIONA njerëz kanë vdekur pa nevojë.”
Trump thotë se ndërkohë, ShBA-ja është “duke negociuar me sukses për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.”
Trump sulmoi edhe Evropën, duke thënë se lufta në Ukrainë është “shumë më e rëndësishme për Evropën sesa për ne”.
Ai shtoi se Evropa ka “dështuar të sjellë paqe” në rajon.