Armëpushimi mund të arrihet këtë vit, thotë kryespiuni ushtarak i Ukrainës

Kyryl Budanov, drejtor i agjencisë ukrainase për inteligjencë ushtarake, GUR, beson se një armëpushim në luftën me Rusinë mund të ndodhë këtë vit.

“Mendoj se do të ndodhë. Janë shumica e përbërësve që ai (armëpushimi) të ndodhë” – tha Budanovi në një intervistë me gazetarin Eynulla Fatullayev, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ai nuk dha hollësi. Zyrtarët ukrainas kryesisht e kundërshtojnë idenë e armëpushimit, duke paralajmëruar se një i tillë vetëm do t’i jepte Rusisë kohë për t’u riarmatosur dhe për t’u përgatitur për agresion të mëtejmë.

“Sa do të jetë i gjatë, sa efikas do të jetë, kjo është çështje tjetër” – shtoi Budanovi.

Diskutimet për një armëpushim të mundshëm u intensifikuan pas rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e dytë. Ai ka premtuar se do t’i japë fund shpejt luftës.

Diplomacia në lëvizje të shpejtë rreth Ukrainës, që nisi me një telefonatë mes Trumpit e rusit Vladimir Putin para një jave, ka shkaktuar alarm në Kiev dhe në kryeqytete të tjera evropiane.

Ata kanë frikë se dy presidentët mund të bëjnë një marrëveshje të shpejtë që i shpërfill interesat e Evropës në fushën e sigurisë, që e shpërblen Moskën për pushtimin e Ukrainës dhe që e lë Putinin të lirë për ta rrezikuar Ukrainën ose shtete të tjera në të ardhmen./Nacionale