Svitlana Pokalchuk i dërgoi dy djemtë e saj adoleshentë jashtë vendit në mënyrë që të shmangnin shërbimin ushtarak në Ukrainën, kur të arrinin moshën.
“E di se sa shumë djem më nuk janë në mesin tonë”, tha Pokalchuk për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë. “E shihni Facebook-un, sa njerëz po kërkojnë familjarët e tyre dhe, si nënë, ndiej pikëllim. Thjesht, pikëllim”.
Ajo nuk është e vetme.
Shtetet e Bashkuara, mbështetësi kryesor ushtarak i Kievit, i kanë bërë thirrje Ukrainës që të ulë moshën e shërbimit ushtarak nga 25 në 18 vjeç, pasi shteti po përballet me vështirësi që të zmbrapsë forcat ruse, që po përparojnë, për shkak të mungesës së rekrutëve të rinj.
Kjo ka shtyrë disa familje ukrainase që t’i dërgojnë bijtë e tyre jashtë vendit që të shmangin shërbimin ushtarak.
“Arsyeja e parë është siguria e tyre”, tha Pokalchuk. “Për një nënë, kjo është gjëja më e rëndësishme. E dyta, është mosha e rekrutimit për shërbim ushtarak. Ata ende janë të rinj dhe nuk ka një trajnim të mirëfilltë ushtarak”.
Në prill të vitit të kaluar, Ukraina uli moshën e mobilizimit nga 27 në 25 vjeç. Në nëntor, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e shtyu Ukrainën që ta ulë sërish këtë moshë, kësaj radhe në 18 vjeç. Më 12 janar, Mike Waltz, këshilltari i zgjedhur për siguri kombëtare i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, e përsëriti këtë mesazh.
“Fëmijët në kasaphane”
Reagimet në rrugët e Kievit ishin krejtësisht negative.
“Jam nënë dhe gjyshe dhe jam krejtësisht kundër kësaj”, tha një grua për Current Time.
“Në moshën 18-vjeçare ata janë fëmijë. Ata do të bëheshin mish për top, fëmijët do të dërgoheshin në kasaphane”, shtoi ajo.
Një grua tjetër tha se “nuk do të mbetet askush që të bëjë fëmijë”, duke prekur një shqetësim të thellë që është në epiqendër të kundërshtimit të këtij propozimi.
Grup-mosha nga 18 deri në 25 vjeç është më e dobëta nga demografia e moshës së punës në Ukrainë. Një rënie dramatike e natalitetit në vitet ’90, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, vazhdoi edhe në vitet 2000, teksa popullsia u përball me sfida të vazhdueshme ekonomike.
“Niveli më i ulët i yni i natalitetit ishte në vitin 2001”, tha Oleksandr Hladun, zëvendësdrejtor në Institutin Demografik të Akademisë së Shkencave të Ukrainës. “Ky kontingjent është aktualisht më i vogli. Dhe kjo do të thotë që në 25-30 vjet do të lindin edhe më pak fëmijë”.
Të dhënat zyrtare kanë zbuluar atë që quhet “hendek demografik”. Në fakt, shifrat reale të popullsisë janë edhe më të ulëta, pasi popullsia u pakësua edhe më shumë nga emigracioni i nxitur fillimisht nga faktorët ekonomikë dhe më pas nga lufta.
Hladun tha se studimet tregojnë se 25 për qind e nxënësve të shkollave të mesme në Ukrainë dëshirojnë të vazhdojnë studimet jashtë vendit.
“Ndoshta kjo do të nxisë edhe më shumë banorë që të largohen, të dërgojnë fëmijët e tyre jashtë vendit”.
Asnjë stigmë
Rezistenca ndaj rekrutimit në përgjithësi është nxitur nga raportimet për korrupsion në zyrat për rekrutim dhe gjetje të mënyra ligjore përmes lidhjeve me pushtetin për të shmangur shërbimin ushtarak. Vitin e kaluar, hetuesit zbuluan se zyrtarë qeveritarë kishin shmangur shërbimin ushtarak duke pretenduar në mënyrë të rremë se merrnin përftime për shkak të aftësive të kufizuara.
Një sondazh i publikuar në qershor gjeti se 46 për qind e ukrainasve mendonin se nuk është turp që të shmangej shërbimi ushtarak, ndërkaq 25 për qind e respodentëve nuk ishin në gjendje që t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje.
Ndoshta për shkak të kësaj atmosfere, reagimi politik për uljen e moshës së rekrutimit ka qenë negativ po ashtu.
Në dhjetor presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri deklarata të ashpra për gazetarët gjatë një vizite në Bruksel. Problemi, sugjeroi ai, nuk ishte numri i trupave, por armatimet dhe pajisjet e pamjaftueshme.
Prej kohësh, Zelensky u bën thirrje aleatëve perëndimorë të Kievit që të rrisin furnizimet me armë për Ukrainën.
“Më tregoni ju lutem: nëse një person është para jush, pa armë, çfarë dallimi ka nëse ai është 20 apo 30 vjeç nëse ai nuk është i armatosur? Nuk ka kurrfarë dallimi”, tha presidenti ukrainas.
Por, Zelensky po ashtu e ka pranuar se ushtria ka nevojë për ushtarë të rinj dhe videot ku shihen rekrutuesit duke tërhequr zvarrë burrat nga rruga, vënë në pah këtë problem.
Presioni politik mund ta detyrojë Zelenskyn që ta ndryshojë mendjen. Trump veçse e ka bërë të qartë se ai nuk është i prirë të mbështesë Ukrainën ushtarakisht dhe dëshiron të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, për të negociuar për paqe.
Teksa Zelensky, tenton të jetë në anën e mirë të Trumpit, ai mund të detyrohet të bëjë disa lëshime./REL