Ishte pritur që Vladimir Krstiq ta merrte drejtimin e Vëllaznimit prej fillimit të këtij edicioni. Por shkaku i angazhimeve që kishte tekniku kroat, marrëveshja në gushtin e vitit të shkuar nuk u kompletua.
Para dy javësh, Krstiq dhe Vëllaznimi bashkuan rrugët me një marrëveshje të vlefshme deri në fund të këtij edicioni në Superligën e Kosovës në basketboll.
Në dy ndeshjet nën urdhrat e Krstiqit, Vëllaznimi ka treguar lojë të mirë. Triumfoi ndaj Proton Cable Prizrenit (86:70), ndërsa të dielën mbrëma u mposht nga Trepça (88:79), por u tregua kundërshtar i barabartë me ekipin mitrovicas. Paraqitje edhe më të mira dhe angazhim maksimal pritet prej Vëllaznimit në ndeshjet tjera, ka paralajmëruar Krstiq të hënën.
Ai për KOHËN ka thënë se synimi i Vëllaznimit është t’i fitojë të gjitha ndeshjet, por edhe në ato që i humb ta sfidojë maksimalisht kundërshtarin.
“Nganjëherë do të fitojmë dhe nganjëherë do të humbim, por e rëndësishme është që të mos dorëzohemi dhe të japim gjithçka nga vetja. Besoj se me kalimin e kohës do të jemi edhe më të mirë dhe kundërshtari do të duhet të angazhohet dhe djersitet mirë për të na mposhtur”, ka thënë Krstiq.
“Në përgjithësi jam i kënaqur me atë që ka treguar ekipi në dy ndeshje, por duhet edhe pak kohë që t’i përshtaten sistemit tim të lojës dhe gjërave të tjera. Pra, po punojmë çdo ditë që të arrijmë në nivelin që dua, pasi mendoj se kemi një ekip të mirë”.
Përvoja e fundit si trajner e Krstiqit ishte te skuadra nga Sllovenia, Gorica, kurse ka qenë edhe në krye të ekipit nga Kroacia, Furnir.
Ai ka treguar se prej vitit të shkuar ka mbajtur kontaktet me Vëllaznimin dhe në momentin e parë që i erdhi mundësia nuk hezitoi të vendosej në Gjakovë.
“Vëllaznimi më ka kontaktuar gjatë verës, në gusht, por nuk e arritëm marrëveshjen për shkak të angazhimeve të mia dhe tani erdha në klub. Sigurisht, në këtë vendim ndikoi edhe Damir Mullaomeriviqi, të cilin e kam pasur bashkëlojtar dhe me tha se basketbolli në Kosovë është në ngritje e sipër, pasi klubet po investojnë shumë”, u shpreh Krstiq. “Shumë trajnerë dhe lojtarë kroatë kanë qenë në Kosovë dhe sigurisht që kanë vetëm fjalët më të mira për basketbollin këtu. Jam i kënaqur me atë që kam parë deri më tani, pasi të gjithë më kanë pritur mirë, duke filluar prej kryesisë e deri te lojtarët që po angazhohen maksimalisht. Po ashtu, edhe tifozët tanë janë të mrekullueshëm”.
Sa i përket synimeve të Vëllaznimit, Krstiq thotë se është ende herët të flitet për to. Sigurisht që synimi i parë është turneu “Final 8” i Kupës së Kosovës që muajin e ardhshëm do të mbahet pikërisht në Gjakovë. Për këtë turne, që zhvillohet nga 13 deri më 17 shkurt, Krstiq thotë se ka disa javë kohë për ta përgatitur ekipin. Ai paralajmëron se Vëllaznimit së shpejti do t’i shtohet edhe një lojtar në pozitën e qendrës për të qenë ekip i kompletuar.
“Sikurse çdo ekip edhe ne i kemi synimet. Por është pak herët të flasim, sepse po punojmë dhe po bëhemi gati. E kemi Kupën e Kosovës që do të mbahet në Gjakovë dhe sigurisht se synojmë të bëjmë paraqitje të mira dhe nëse na jepet mundësia do ta fitojmë, por nuk do të jetë lehtë sigurisht”, shtoi tekniku kroat. “Pas përfundimit të Kupës do të bëhemi gati për fazën finale të kampionatit të rregullt dhe sigurisht për garat e plejofit”.
Krstiq pret përkrahjen e fuqishme të tifozëve gjakovarë në “Final 8” të Kupës dhe beson se lojtarët do t’ua shpërblejnë këtë me lojë të mirë. Sa i përket garave të plejofit, ai thotë se Vëllaznimi do të jetë gati për ta befasuar secilën skuadër.
Pranon se Trepça është një hap para tjerave, ndërsa vlerëson edhe Pejën, Golden Eagle Yllin e Prishtinën.
“Konkurrenca këtë edicion është shumë e fortë me aq sa kam parë. Megjithatë, më duhet të them se Trepça është para ekipeve tjera sa i përket cilësisë, por edhe ka një trajner shumë të mirë. Pastaj janë Peja, Ylli dhe Prishtina që po ashtu kanë skuadra të mira. Në do të tentojmë të jemi aty menjëherë dhe t’i shkaktojmë telashe secilit kundërshtar deri në fund. Pra, një befasi e këndshme për të gjithë”, tha Krstiq.
Ndeshjen e radhës në kampionat Vëllaznimi e luan në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë kundër skuadrës së Golden Eagle Yllit. Kjo ndeshje luhet në vikend dhe i takon xhiros së 19-t.
Vëllaznimi e nisi kampionatin me trajnerin lituan Audrius Prakuraitis. Vazhdoi me kroatin Josip Plantak dhe Krstiq është trajneri i tretë.