Guardiola: Në stolin e Barcelonës preka perfeksionin, Bayerni ishte sfida ime më e vështirë

Pep Guardiola ka dhënë një intervistë për ‘DAZN’, në të cilën ka shqyrtuar muajt e tij të fundit te Manchester City dhe gjithë karrierën e tij në stol. “Më parë kam qenë shumë më i padurueshëm dhe i shqetësuar në çdo gjë, tani jam më i qetë. Në momentet e mira jam më i qetë.

Më parë më dukej sikur po mbaronte bota, përvoja të mëson se futbolli është lojë, luan edhe kundërshtari. Ndodh që mund të kesh një ditë të keqe. Ka gjëra të thjeshta që më parë nuk mund t’i toleroja, tani e kuptoj që bëhen edhe gabime”, – ka rrëfyer ai në ‘Recetën e Pepit’.

Trajneri spanjoll fitoi Premier League, “FA Cup” dhe Champions League sezonin e kaluar me City: “Tripleta është kulmi i gjithçkaje, por nuk do të ishte e mundur pa të gjitha zhgënjimet e mëparshme. Nëse jam në sezonin tim të tetë këtu, është sepse në momentet e këqija drejtuesit kanë besuar te mua”, – shtoi Guardiola, i cili e përshkroi Haaland si një “grabitqar goli”.

Pep gjithashtu u kthye prapa dhe foli për të kaluarën e tij te Barcelona dhe Bayern Munich: “Ishte shumë e vështirë të mbërrija në Gjermani, pasi Bayerni kishte fituar tripletën me Jupp Heynckes. Mendoj se ishte sfida më e vështirë në karrierën time, por gjithçka e bukur. Te Barça prekëm bukurinë, sepse ajo që bëmë do të mbahet mend gjatë”.

Guardiola vlerëson sulmuesin e tij norvegjez: “Haaland është një gllabërues. Ai ka diçka që e admiroj shumë, kurrë nuk zihet jashtë loje. Nuk dëshpërohet, edhe nëse humbet rastet. Sulmuesi i mirë e ndjen se ku do të shkojë topi, Erling e ka këtë nuhatje”.

Guardiola zbuloi se çfarë shikon kur studion një përforcim për skuadrën: “Së pari duhet të jetë njeri i jashtëzakonshëm. Kur firmosim me një lojtar pyesim nëse është zëvendësues i mirë apo i keq. Nuk ia vlen të fitosh një titull, nëse nuk ndihesh rehat”.