Një muaj e gjysmë më parë, Joao Félix pati një paraqitje të shkëlqyer kundër Atlético Madridit, klub që zotëron kartonin e portugezit.
Në atë duel, sulmuesi portugez shënoi golin e shtatë të sezonit në fitoren 1-0. Që atëherë, megjithatë, marrëdhënia e Félix me Barçën filloi të përkeqësohej.
Portugezi e nisi titullar ndeshjen në vijim (një humbje e rëndë në shtëpi me Gironan me 2-4), më pas shënoi kundër Valencias në barazim (1-1) dhe ishte në formacion kundër Almerías, duke u zëvendësuar në pjesën e parë të asaj ndeshje, pas një loje të dobët.
Më pas ai ishte zëvendësues me Las Palmasin në kampionat, si dhe në dy duelet e Superkupës spanjolle, me Osasunan dhe Realin e Madridit. Pra u kthye nga Arabia Saudite me statusin e qartë të zëvendësuesit, duke bërë që e përditshmja spanjolle AS të pretendonte se Félix është bërë “një patate e nxehtë” në skuadrën e Barcelonës.
Kjo pasi, në verë, Xavi synonte të nënshkruante me një mesfushor për të plotësuar largimin e Sergio Busquets dhe një lojtar që përmbushte kushtet ishte Bernardo Silva, por nënshkrimi i tij qe i pamundur.
U afruan Oriol Romeu dhe Ilkay Gundogan, ndërsa Fermín López u mor nga ekipi i dytë i Barcelonës.
As ka pohuar gjithashtu se marrëdhëniet e mira mes agjentit Jorge Mendes dhe drejtorit sportiv të “Blaugranave”, Deco, e lehtësuan huazimin e João Félixit, që nuk ishte kërkesë e shprehur nga Xavi.
Pavarësisht nisjes shumë të mirë të sezonit, rënia e rendimentit të portugezit e ka ulur ndjeshëm mundësinë që Barcelona ta blejë përfundimisht kartonin e tij.
Mbetet për t’u parë se si do të jenë statistikat e Félixit për gjysmën e dytë të sezonit, pasi duket e pamundur që ai të llogaritet si lojtar për të ardhmen e Barcelonës.