Premierliga konfirmon se është caktuar data e seancës për 115 shkeljet financiare me të cilat akuzohet Man City

Shefi ekzekutiv i Premierligës, Richard Masters, ka konfirmuar se është caktuar një datë për seancën dëgjimore të Manchester Cityt, për 115 shkeljet e pretenduara të rregullave financiare.

Man City u akuzua nga Premierliga në shkurt për shkelje në fusha të shumta, duke përfshirë pretendimet për dështimin për të dhënë informacionin e saktë financiar dhe dështimin për të bashkëpunuar me një hetim

Një sërë sanksionesh janë të mundshme nëse kampioni anglez shpallet fajtor për ndonjë shkelje, duke përfshirë një zbritje pikësh ose përjashtim nga elita e futbollit në Angli.

Pas shpalljes së akuzave, Manchester City publikoi një deklaratë të klubit, përmes së cilës mohuan çdo keqbërje dhe konfirmuan se do të mbroheshin.

Informacionet që atëherë ka qenë mjaft të pakta, por Masters ka konfirmuar të martën se një datë e shumëpritur për seancën dëgjimore të klubit tani është caktuar.

Duke folur me Komitetin e Kulturës, Medias dhe Sportit në një seancë të Komisionit të Përzgjedhur, Masters u pyet nëse ai e kuptonte zhgënjimin e tifozëve rreth procesit të ngadaltë që përfshin Man Cityn, në krahasim me akuzat e reja të shpallura kundër Everton dhe Nottingham Forest.

“Unë mund të kuptojë, por janë akuza shumë të ndryshme. Nëse ndonjë klub, qoftë kampion aktual apo ndryshe, do të ishte gjetur në shkelje të rregullave të shpenzimeve për vitin 2023, ata do të ishin saktësisht në të njëjtin pozicion si Everton apo Nottingham Forest. Vëllimi dhe karakteri i të njëjtave akuza të ngritura ndaj Man City, për të cilat nuk mund të flas fare, po dëgjohen në një mjedis krejtësisht tjetër”, tha fillimisht ai.

“Ka një datë të caktuar për atë procedim. Për fat të keq, nuk mund t’ju them se kur është kjo, por kjo po përparon. Nuk mund të jap asnjë detaj për Man Cityn, përveçse të them se një datë është caktuar, nuk mund t’ju them se kur është ajo datë”, deklaroi Masters.