Premier League/ ”Thriller” me 5 gola, Manchester City përmbys Newcastle në fundin e ndeshjes

Manchester City fiton në frymën e fundit në transfertën e Newcastle, në sfidën e javës së 21-të që u mbyll me rezultatin 2-3.

Kjo ndeshje rezultoi shumë e luftuar, me dy skuadrat që dhuruan spektakël dhe super gola në “St.James’ Park”.

Newcastle pati mundësinë për të zhbllokuar takimin që në minutën e 2’ me Longstaff, por goli i tij u anulua nga VAR për “offside”.

Ndërsa në minutën e 26’ Silva kaloi City-n në avantazh, me një goditje spektakolare.

Në minutën e 35’ Isak barazoi për vendasit, teksa dy minuta më pas Gordon kaloi Newcastle në avantazh, me të dy lojtarët që realizuan “perla” të vërteta.

Me pjesën e parë që u mbyll me rezultatin 2-1, goli i barazimit për ekipin e Guardiolës u realizua në minutën e 74’, me De Bruyne, që gjeti rrugën drejt rrjetës në ndeshjen e tij të parë në Premier League, pas rikthimit nga dëmtimi.

Ndeshja u vulos në fund, më saktë në minutën e 90+1’, me talentin e akademisë së City-t, Bobb që u fut nga stoli për të shënuar golin e fitores.

2-3 dhe Newcastle renditet në vend të 10-të me 29 pikë, teksa Manchester City renditet në vend të dytë me 43 pikë.