Mourinho në presion, përballja në Ligën e Evropës do të vendosë të ardhmen e tij

Eliminimi i Romës në Kupën e Italisë nga rivali i përjetshëm Lazio, në çerekfinale të kompeticionit, i hoqi skuadrës së Jose Mourinhos mundësinë për të tentuar deri në fund një nga dy trofetë që mund të fitonte në këtë sezon.

Duhet kujtuar se kjo disfatë e skuadrës verdhekuqe, që është ende në garë në Ligën e Evropës (do të përballet me Feyenoordin) “ra si një bombë” te drejtuesit e klubit.

Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, rinovimi i kontratës së trajnerit portugez është vënë në dyshim nga familja Friedkin, pronare e klubit, që ka mbetur e zhgënjyer me punën e Mourinhos gjatë këtij sezoni.

Trajneri portugez tashmë ka treguar publikisht dëshirën e tij për të vazhduar kontratën, e cila përfundon në fund të sezonit, por rezultatet nuk po e ndihmojnë.

Në Serie A, Roma është në vendin modest të 8-të, me vetëm 29 pikë të grumbulluara në gjysmën e kampionatit. Që nga viti 2004/05, vit në të cilin Roma ndërroi katër trajnerë (Cesare Prandelli, Rudi Voller, Luigi Delneri dhe Bruno Conti) rezultati nuk ishte më i dobët.

Mediumi italian shpjegon se dueli i dyfishtë me Feyenoordin (ndeshjet luhen më 15 dhe 22 shkurt) mund të jetë absolutisht vendimtar për rinovimin e Mourinhos.

Deri atëherë Friedkins do të presin një tjetër version të Romës në fushë, përndryshe ndarja e Mourinhos nga verdhekuqtë në fund të sezonit do të jetë skenari më i mundshëm.

Të dielën, Roma do të ketë një tjetër provë të vështirë, në transfertë me Milanin, për javën e 20-të të Serie A.