Voska Sport prezanton blerjen e parë në merkaton e dimrit

Skuadra e Voska Sportit ka bërë prezantimin e parë për merkaton e dimrit, duke firmosur kështu me futbollistin nga Bosnja e Hercegovina, Petar Bojo. Ekipi nga Ohri ka komunikuar marrëveshjen me mesfushorin boshnjak, ku presidenti Nefi Useini ka presantuar lojtarin Petar Bojo pasi firmosën kontratën.

Bojo te Voska Sport vjen me një bagazh të madh, duke numëruar plotë 143 ndeshje, 18 gola dhe 8 asiste në elitën e futbollit boshnjak, aty ku në sezonin 2021/22 ishte shpallur edhe kampion me ekipin e Zrinjski Mostar.

Skuadra e tij e fundit ishte Igman Konjic, ndërsa gjatë karrierës së tij, i njëjti kishte veshur edhe fanellën e skuadrave të Zheljezniçarit, Mladost Kakanj dhe NK Vitez.

Ndryshe karrierën e tij si i ri e kishte nisur te Shiroki Brijeg, ndërsa si 19-vjeçar kishte provuar veten edhe në futbollin çek, me skuadrën e Jihlava.