Interi e nis vitin me një fitore dramatike dhe plotë vuajtje ndaj Hellas Verona

Inter merr një fitore të frymës së fundit ndaj Verona-s, në takimin e javës së 19-të të Serie A, që u mbyll me rezultatin 2-1, por që rezultoi me një mbyllje spektakolare.

Ishin “zikaltërit” ata që gjetën të parët rrugën drejt rrjetës, me Lautaro Martinez që shënoi në minutën e 13’, duke u “rikthyer e gol” nga dëmtimi dhe duke kaluar ekipin e tij në avantazh.

Inter pati mundësinë të dyfishonte avantazhin, megjithatë goli i Lautaros në minutën e 49’ u anulua për “offside” pas verifikimit në VAR.

Ndërkohë, Verona ia doli që të reagojë dhe gjeti barazimin në minutën e 74’, me Henry që shënoi në prekjen e parë të topit, pasi kishte vetëm një minutë në fushën e lojës, duke marrë vendin e Djuric.

Në minutat e mbetura Inter-i provoi në disa raste që të gjente golin e fitores, por ia doli vetëm në minutën e 90+3’, ku pas një rrëmuje në zonë dhe një sërë tentativash nga ana e Inter, Frattesi shfrytëzoi pasigurinë e Montipo dhe i dha avantazhin dhe njëkohësisht edhe fitoren skuadrës së tij. Ndërsa në minutën e 90+6’ Verona mbeti me dhjetë lojtarë, pasi Lazovic mori karton të kuq për protesta.

Në fund të sfidës, pas një ndërhyrje të gabuar të Darmian ndaj Maignani, Verona fitoi penallti, që e mori përsipër ta ekzekutojë Henry, por që gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Pas këtij takimi, Inter kryeson Serie A me 48 pikë, teksa Verona renditet në vend të 18-të me 14 pikë.