Liverpooli triumfon ndaj Newcastle dhe shkëputet në krye të tabelës

Liverpooli e ka nisur me fitore vitin 2024 në Premierligë, duke bërë kështu një shkëputje në krye të tabelës.

Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp triumfoi sonte ndaj Newcastle United, në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Anfield” prodhoi gjashtë gola, teksa u mbyll me rezultatin 4:2.

Mohamed Salah (49′, 86′ penallti), Curtis Jones (74′) dhe Cody Gakpo (78′) shënuan golat e fitores për “Të Kuqtë”.
Vlen të theksohet se Luis Diaz (18′) shënoi një herë, por që goli iu anulua nga VAR-i për shkak të pozitës jashtë loje, kurse Salah humbi një pentallti (22′).

Ndërkaq, për “Magpies” realizuan Alexander Isak (54′) dhe Sven Botman (81′), kurse goli i Dan Burn (36′) u anulua për pozitë jashtë loje.

Liverpooli pas kësaj fitore ka 45 pikë dhe prin në tabelë, me tri pikë më shumë se Aston Villa e pozitës së dytë.

Newcastle mbetet me 29 pikë dhe ndodhet në pozitën e nëntë.