Muller rinovon kontratën me Bayernin

Thomas Muller ka nënshkruar kontratë të re me Bayern Munichin.

Sipas marrëveshjes së re, 34-vjeçari do të jetë pjesë e gjigantit gjerman deri në verën e vitit 2025.
Muller është pjesë e Bayernit që nga viti 2009, kur kishte bërë debutimin me ekipin e parë pasi kishte kaluar aventurat me ekipet e grupmoshave të reja.

Ai ka fituar çdo trofe të mundshëm me “Bavarezët”.

“Jam i lumtur që rrugëtimi im në FC Bayern po vazhdon. Dua të luaj rolin tim që ne të mbetemi të suksesshëm, si skuadër ashtu edhe i gjithë klubi. Është e rëndësishme për mua të jem një themel dhe të ndihmoj ta drejtoj ekipin në drejtimin e duhur. Dua të emocionoj tifozët tanë me gola, duke ndihmuar në krijimin e golave, dashurinë time për lojën, pasionin tim për futbollin – dhe shpresoj me shumë tituj të tjerë”, u shpreh gjermani për faqen zyrtare të klubit.