Pyetjen e dytë e kam, thashë, e kisha menduar për ministrin e Drejtësisë, por meqë nuk është këtu, ndërsa zëvendësi nuk thirret si autor i ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, prandaj do t’jua parashtroj pyetjen juve si kryeministër i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Goxha është bërë debat në lidhje me ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat që e propozon qeveria. Nga ana tjetër, gjatë gjithë kësaj periudhe kemi pasur mundësinë që t’i vërtetojmë edhe me fakte, në mënyrë faktike, kotësinë e këtij ligji. Unë e di që ju jeni të interesuar që të kalojë ky ligj, sepse është në përputhje me idenë të cilën e përdorët edhe në fushatë për zhvlerësimin total të Marrëveshjes së Ohrit [në audio dëgjohet „marrëveshjes së Torit“]. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është shtyllë shumë e rëndësishme e marrëveshjes, gjë për të cilën unë shpesh, kur flas për këtë temë dhe për këtë ligj, jo sepse kam qejf, por kështu e kuptoj, them se ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk ka të bëjë personalisht me ne që jemi këtu. Ka të bëjë me të ardhmen, është projeksion ndaj gjeneratave që vijnë, e ardhmja e tyre. Sepse është e lehtë të thuhet që t’i kthejmë njerëzit këtu, kur ua pamundëson dhe nuk ua garanton kuotat etnike në punësim. Më vjen keq, por njerëzit nuk kthehen vetëm pse ne kemi qejf të themi nga foltorja e parlamentit.
Ligji i cili është në procedurë parlamentare dhe që nuk ka kaluar, dhe mirë është të mos kalojë kurrë ai propozimligj, me pak fjalë parasheh disa gjëra të përgjithshme të cilat ekzistojnë në legjislacionin e Maqedonisë së Veriut. Ligji nënkupton, thotë, do të krijojmë komision të qeverisë i cili do të merret me realizimin e kësaj të drejte. Pse duhetka ligj për t’u bërë qeveria? Ekziston ligji për qeverinë, jeni, është qeveria, apo jo?
Ligji thotë që përgjegjësia do të jetë politike. Dhe këtë ministri i Drejtësisë [në audio dëgjohet „Zazivari“] na e paraqiti si kryearritje, kryeshpikje, një model shumë të mirë që duhet të funksionojë. Përgjegjësia politike vazhdon të funksionojë edhe sot. E përmend përfaqësimin e drejtë dhe adekuat si vlerë dhe si të drejtë, po e ka Kushtetuta. Dhe pse duhet të jetë ky ligj, ndërkohë që nuk parasheh asnjë mekanizëm zbatimi?
Me fjalë të tjera, duhet t’ju pyes direkt: tani më që ka kaluar kohë dhe përditë në mjetet e informimit shohim punësime nëpër institucione. E fundit ishte: 80 maqedonas, asnjë shqiptar në spitalin e Kumanovës. Në Akademinë Ushtarake njësoj, të gjithë të përkatësisë etnike maqedonase, në Akademinë Policore po njësoj. Këtu në Parlament, në konkursin e brendshëm nga 12 njësi që i ka Parlamenti, ose në konkursin e fundit, 11 janë avancuar maqedonas, vetëm një shqiptar, apo?
Tani, kur jemi te përgjegjësia politike, e keni këtë mekanizëm në dorë. A e keni kërkuar, po them, ministrit të Shëndetësisë që ta shkarkojë drejtorin, se kështu duhet të duket përgjegjësia politike, kur nuk ka respektuar të drejtën kushtetuese për përfaqësim të drejtë dhe adekuat? A i keni kërkuar ministrit të Punëve të Brendshme, kur nuk është respektuar e drejta kushtetuese për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Akademinë Policore, e kështu me radhë në të gjitha institucionet? Asnjë përgjegjësi politike. E pra, kështu duket ajo përgjegjësi politike, ne e kemi ditur, por është koha që ta zbardhim për opinionin.
– Ziadin Sela, Kryetar i Lidhjes Shqiptare