NEVOJA DHE SFIDAT E NJË SUBJEKTI TË RI POLITIK TE SHQIPTARËT E MAQEDONISË SË VERIUT

Shkruan: Merxhan Jakupi
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, prej më shumë se një çerek shekulli, kanë mbetur të zhgënjyer dhe të frustruar nga subjektet politike, liderët dhe elita politike.
Për më shumë se dy dekada, partitë tradicionale shqiptare kanë qenë të stigmatizuara, të konsumuara dhe të shtrydhura si limoni nga partitë maqedonase.
Sipas psikoanalistëve, liderët që qëndrojnë në pushtet për më shumë se një apo dy dekada pësojnë ndryshime. Ata e kanë të vështirë të pranojnë ide inovative, vizion pragmatik dhe reformator. Ata vazhdojnë me ide sterile, duke pasur gjithnjë frikë nga ndryshimet dhe humbja e pushtetit.
Këta liderë, duke qenë brenda kësaj skeme sterile dhe të izoluar, rivalët e tyre i shohin si armiq, ndërsa veten e konsiderojnë shpëtimtarë dhe baballarë të kombit. Ky fenomen është vërejtur te lideri serb Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Sali Berisha.
Ndryshimet në rajon, pas humbjes së Aleksandar Vuçiqit dhe, në të ardhmen, mbase edhe të Edi Ramës, mund të krijojnë në Maqedoninë e Veriut një efekt domino, duke u fokusuar dhe inspiruar në krijimin e forcave të reja politike. Këto zhvillime në Beograd dhe Tiranë mund të shërbejnë si frymëzim për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për krijimin e forcave të reja politike, të dala nga gjiri i gjeneratave të reja postkomuniste.
Në këtë kontekst dhe në linjë me idenë për të ndërprerë një mendësi politike, mbetet tepër e nevojshme që forcat e reja të strukturuara rreth një subjekti të ri politik të shkëputen nga të ashtuquajturat parti tradicionale, të cilat tashmë janë konsumuar dhe janë tërësisht sterile.
Këto forca të reja politike nuk duhet të merren më me nacional patriotizëm, folklorizëm politik dhe militantizëm. Subjekti i ri politik, që shpresohet të dalë nga gjenerata e re, duhet të shkëputet edhe nga logjika dhe matrica e adhurimit të liderit, shpeshherë në forma shenjtëruese.
Subjekti i ri politik duhet të jetë i përbërë nga klasa intelektuale, e cila ka qenë indiferente ndaj partive tradicionale: mjekë, profesorë, avokatë, artistë, bujq dhe kuadro të tjera. Po ashtu, në këto forca të reja politike duhet të përfshihet edhe një pjesë e atyre që kanë studiuar në universitete evropiane. Brezi i dytë, që jeton në shtetet perëndimore dhe ka tituj akademikë master dhe doktoraturë, përfaqëson një potencial të rëndësishëm. Ata kanë një bagazh të pasur dhe përvojë të traditave demokratike, me ide dhe vizione që mbështeten në traditat liberale, iluministe dhe socialdemokrate.
Përfshirja e këtij brezi me potencial, që tashmë i njeh traditat më të mira demokratike evropiane, mund të krijojë një shndërrim tjetër kualitativ dhe t’i jap një subjekti politik dimensionin e munguar të vizionit dhe vlerave europiane.
Një subjekt i ri, me ide inovative dhe transparencë, do të sillte ndryshime edhe te partitë tradicionale. Këto parti do të detyroheshin të ndryshonin diskursin dhe konceptet e vjetra. Duke kaluar në opozitë, ato do të sillnin ndryshime, reforma, ide, establishment dhe platforma të reja, me kuadro të reja.
Si opozitë konstruktive, ato do të shërbenin si rivalë politikë, me mundësinë që, në një fazë tjetër, të kalonin në pozitë. Këta mekanizma dhe paradigma janë kritere dhe standarde të një shteti demokratik.
Ardhja e forcave dhe e subjektit të ri politik te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk duhet pritur me idenë e një shkop magjik. Në kontekstin e së ardhmes, por edhe një trashëgimie politike dhe problemeve të shtresuara, edhe subjektet e reja politike do të përballen me sfida dhe barriera në raport me pushtetin dhe qeverinë e Maqedonisë së Veriut, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë.
Çdo kërkesë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut do të mund të jetë në kundërshtim me qëndrimet e qeverisë. Një ndër çështjet që lidhet me diskriminimin dhe majorizimin është ndarja e buxhetit. P.sh. kur Parlamenti ratifikon ndarjen e buxhetit vjetor, i cili arrin në 5 miliardë euro, sipas një përllogaritjeje të bazuar në përfaqësimin e popullsisë, ndarja territoriale dhe buxhetore duhet të reflektojë raportin 30% me 70%. Në këtë përllogaritje, 1.5 miliardë euro duhet të ndahen për komunat me shumicë shqiptare.
Po ashtu, decentralizimi i komunave ka mbetur i papërfunduar. Decentralizimi fiskal është i pabarabartë. Në psikologjinë kolektive të shumicës së qytetarëve maqedonas dhe në diskursin publik, përfshirë edhe atë të liderëve politikë, ekziston narrativa e konceptit të shtetit-komb, që nënkupton se shteti është pronë e maqedonasve.
Shqiptarët, të trajtuar me statusin e pakicës, ndonëse zyrtarisht përbëjnë rreth 30 për qind të popullsisë, sipas kësaj narrative, kanë shumë të drejta dhe një status më të lartë se në të gjitha shtetet e Evropës. Ky koncept dhe kjo qasje nuk përputhet me realitetin e shtetit, ndërkohë që shqiptarët në asnjë rast nuk mund të shihen si pakicë kombëtare. Pikërisht, ky koncept dominues krijon keqkuptimin e madh për atë se çfarë realisht paraqesin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në tërësinë shtetërore. Një subjekt i ri politik duhet ta ketë parasysh se do të përballet me këtë koncept, që nuk lejon etablimin e mirëqenë të shqiptarëve në shtet dhe mbi të gjitha marrjen e hises së buxhetit, jo si lëmoshë, por si një e drejtë historike, politike dhe demografike.
Së fundi, ekziston edhe pretendimi se shqiptarët kanë dy shtete dhe se synojnë që në të ardhmen të kenë edhe një shtet të tretë: Maqedoninë e Epirit. Edhe ky është argument i paqenë politik, i sajuar për të diskriminuar shqiptarët dhe për të disiplinuar në statusin e pakicës kombëtare. Çdo ide dhe koncept i ri politik duhet të zhvillohet, duke projektuar në mënyrë të argumentuar barazinë e shqiptarëve në të gjitha institucionet e shtetit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo