Minçev nga Beogradi: Akademia do të krijojë profesionistë dhe liderë të së ardhmes në administratën publike
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë Konferencës Ministrore të ReSPA-s në Beograd, deklaroi se administrata e së ardhmes ndërtohet me njerëz që kanë njohuri, vizion dhe kapacitet për të udhëhequr ndryshimet, duke theksuar se Akademia për Trajnim dhe Zhvillim Profesional të nëpunësve administrativë do të jetë shtylla e profesionalizimit të administratës informon Tetovasot.
Konferenca, e mbajtur me temën “Administrata publike e gatshme për të ardhmen: zhvillimi profesional dhe e-qeverisja për anëtarësim në BE”, u përqendrua në përvojat e vendeve të rajonit, rolin e akademive të administratës publike dhe zhvillimin e shërbimeve digjitale.
Minçev rikujtoi se me miratimin e zgjidhjes ligjore në vitin 2025 është vendosur baza për një qasje sistematike ndaj aftësimit profesional të administratës, por theksoi se synimi është shumë më i madh.
“Akademia nuk duhet të jetë vetëm një institucion që organizon trajnime. Ajo duhet të jetë shtylla e vlerës institucionale, të krijojë profesionistë dhe liderë të së ardhmes, si dhe të zhvillojë në mënyrë strategjike kompetencat e administratës moderne”, deklaroi ministri.
Ai vuri në pah se prioritet mbetet funksionalizimi i plotë i Akademisë, forcimi i kapaciteteve të saj, hartimi i programeve të bazuara në kompetenca dhe avancimi i proceseve digjitale për menaxhimin e trajnimeve dhe zhvillimit profesional të administratës transmeton Tetovasot.
Sipas Minçevit, digjitalizimi i këtyre proceseve nuk duhet të shihet vetëm si një përmirësim teknik, por si një instrument për menaxhim më efikas të dijes në të gjithë sektorin publik.
Në fund, ai theksoi se përmes bashkëpunimit rajonal dhe evropian, Ministria e Administratës Publike synon të ndërtojë një administratë moderne, profesionale dhe të përgatitur për të përmbushur standardet evropiane dhe pritjet e qytetarëve.TS



