Messi rikthehet në Argjentinë, gati të luajë për herë të parë në karrierë ndaj një klubi të vendlindjes

Lionel Messi mund të rikthehet në stadiumin legjendar “Monumental”, por këtë herë jo me fanellën e kombëtares së Argjentinës. Inter Miami dhe River Plate janë duke planifikuar zhvillimin e një ndeshjeje miqësore më 19 janar, e cila mund të shënojë një moment historik në karrierën e yllit argjentinas.

Sipas raportimeve nga mediat greke, dy klubet kanë avancuar në organizimin e kësaj përballjeje, ndërsa trajneri i Inter Miamit, Cristian González, ka dhënë sinjale pozitive për realizimin e saj. “Për mua, kjo çështje është pothuajse e sigurt”, është shprehur ai.

Ndeshja mund të jetë miqësorja e fundit për River Plate përpara nisjes së turneut “Apertura”, i cili është planifikuar të fillojë më 24 janar.

Për Messin, kjo përballje do të kishte një rëndësi të veçantë, pasi do të ishte hera e parë që ai do të luante në Argjentinë me fanellën e një klubi, që nga fillimi i karrierës së tij profesionale, edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje miqësore.

Paraqitjet e mëparshme të tetë herë fituesit të Topit të Artë në Argjentinë, jashtë angazhimeve me kombëtaren, kanë qenë kryesisht në ndeshje bamirësie dhe organizime speciale. Mes tyre përfshihen takimet e zhvilluara për Fondacionin “Pupi” gjatë viteve 2005-2011, si dhe ndeshjet në nder të Juan Román Riquelmes dhe Maximiliano Rodríguez në qershor të vitit 2023.

Megjithatë, këto takime janë zhvilluar në stadiumin “La Bombonera” ose në impiantin e Newell’s Old Boys në Rosario.

Një xhudist për Pallatin Elysee, çfarë e shtyn kampionin olimpik Teddy Riner të kandidojë në presidencialet e Francës

“Monumental”, një stadium special për Messin

Stadiumi i River Plate ka një domethënie të veçantë për Lionel Messin. Pikërisht aty ai ka zhvilluar numrin më të madh të ndeshjeve me fanellën e kombëtares argjentinase.

Në “Monumental”, Messi ka regjistruar 29 paraqitje, duke shënuar 20 gola dhe dhënë 11 asistime, pa pësuar asnjë humbje.

Gjatë vizitës së tij të fundit, drejtuesit e River Plate e nderuan yllin argjentinas, duke e shpallur anëtar nderi të klubit.

Nëse miqësorja konfirmohet, rikthimi i Messit në këtë stadium do të jetë një tjetër moment i veçantë për karrierën e tij, këtë herë me fanellën e Inter Miamit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo