Lara Colturi ka shkruar historinë në sportin shqiptar, duke fituar për herë të parë një garë të Kupës së Botës në ski alpine. Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë triumfoi këtë të shtunë në garën e slalomit në Gurgl të Austrisë, duke i dhuruar vendit suksesin e parë në historinë e këtij kompeticioni.
20-vjeçarja përfundoi dy zbritjet me kohën e përgjithshme 1 minutë, 45 sekonda e 47 të qindtat, duke lënë pas dy skiatorët suedeze. Sara Hector u rendit e dyta, me 27 të qindtat më shumë, ndërsa Anna Swenn Larsson zuri vendin e tretë, me një diferencë prej 30 të qindtash.
Ky është triumfi i parë në karrierën e Colturi-t në Kupën e Botës, pas disa rezultateve në podium dhe dy vendeve të dyta në garat e para të këtij sezoni. Fitorja në Gurgl vjen një javë pas vendit të dytë që ajo arriti në slalomin e Levi-t në Finlandë.