Në prag të Ditës së Alfabetit Shqip, në Shkup janë nderuar mësuesit dhe mësueset që ndër vite kanë kontribuar në zhvillimin dhe ruajtjen e arsimit në gjuhën shqipe.
Përmes një ceremonie mirënjohjeje, janë vlerësuar mësimdhënësit në pension dhe ata që vazhdojnë të japin kontributin e tyre në arsim.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti theksoi rëndësinë e mësuesve në përcjelljen e gjuhës shqipe brez pas brezi, duke kujtuar vështirësitë me të cilat janë përballur ndër vite për sigurimin e teksteve shkollore dhe hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe.
Mexhiti theksoi se institucionet kanë përgjegjësi të dëgjojnë zërin e mësimdhënësve dhe të angazhohen për tekste cilësore në shqip, kushte më të mira në shkolla dhe mbështetje për punën e tyre të përditshme.
„Faleminderit për vitet që ia keni kushtuar mësimit në gjuhën shqipe. Urime Dita e Alfabetit Shqip!”, ka shkruar Mexhiti.