Shkencëtarët japonezë të fushës së ushqimit kanë sjellë prova të tjera se simptomat e rinitit mund të lehtësohen përmes konsumimit të vazhdueshëm të ushqimeve që përmbajnë Lacticaseibacillus paracasei KW3110, një bakter që gjendet në disa lloje djathi.
Pas një studimi klinik ku morën pjesë 130 persona që vuajnë nga alergjia ndaj polenit, kompania Kirin Holdings, e njohur për birrën që mban të njëjtin emër, deklaroi se bakteri lehtësoi “simptomat e lehta deri në të moderuara të hundës”, kur konsumohej për një periudhë dymujore.
Ky efekt u vërejt edhe “gjatë periudhave me përqendrim të lartë të polenit në ajër”, kur alergjia ndaj polenit priret të jetë më e përhapur dhe më e rëndë.
“Krahasuar me konsumimin e ushqimit placebo, konsumimi i ushqimit që përmbante L. paracasei KW3110 rezultoi në përmirësime të konsiderueshme në ndryshimin e pikëve të simptomave të raportuara nga vetë pjesëmarrësit”, deklaroi Kirin, duke shpjeguar se bakteri ndërvepron me qelizat imunitare për të kundërshtuar këtë gjendje.
Rezultatet e këtij studimi erdhën pas testimit që Kirin i kishte bërë vitin e kaluar këtij bakteri te personat që kishin raportuar simptoma të alergjisë ndaj polenit.
Duke e përshkruar KW3110 si një “lloj bakteresh të acidit laktik, të izoluar fillimisht nga djathi”, studiuesit e kompanisë kishin deklaruar në atë kohë se ai dukej se ndihmonte kundër alergjisë ndaj polenit, kur konsumohej si pjesë e një diete të shëndetshme.
Më herët, në vitin 2026, një tjetër ekip shkencëtarësh japonezë publikoi rezultate që tregonin se çaji jeshil matcha ndihmon në lehtësimin e alergjisë ndaj polenit. Në një artikull të botuar në revistën npj Science of Food, studiuesit e Universitetit të Hiroshimës deklaruan se kjo pije shkaktonte një “ulje të drejtpërdrejtë të aktivitetit të refleksit të teshtitjes”.