Arsimi universitar në shqip nuk është “implant”

Kur dëgjova kryeministrin Mickoski të thotë nga foltorja e Kuvendit se arsimi universitar në gjuhën shqipe është një “implant”, mendimi im i parë nuk ishte zemërimi. Ishte habia. Jetoj prej më shumë se tridhjetë vitesh në Zvicër, ku katër gjuhë bashkëjetojnë pa asnjë problem. Si jurist, e kam të vështirë ta kuptoj pse një kryeministër ndjen nevojën ta hapë këtë temë sot.

Le të jemi të saktë, sepse vetëm kështu mund ta kundërshtojmë seriozisht. Kushtetuta, në nenin 48, e përmend mësimin në gjuhët e bashkësive vetëm për shkollën fillore dhe të mesme. Për universitetin nuk thotë asgjë. Kjo është e vërtetë dhe nuk ka kuptim ta mohojmë.

Por heshtja e Kushtetutës nuk është ndalim. Kushtetuta nuk e përcakton gjuhën e mësimit në arsimin e lartë, as për maqedonishten, as për shqipen. Për më tepër, që nga viti 2001, sipas nenit 7 të Kushtetutës, edhe shqipja është gjuhë zyrtare. Atë që Kushtetuta nuk e ndalon, nuk mund ta quajmë antikushtetuese. Kjo çështje i është lënë ligjvënësit, dhe ligjvënësi e ka rregulluar.

Baza e vërtetë e arsimit universitar në shqip është Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001. Në pikën 6.2, shteti merr përsipër të financojë arsimin universitar në gjuhët që i flasin së paku 20 për qind e qytetarëve. Kjo marrëveshje nuk është një letër e zakonshme politike: ajo i dha fund një konflikti të armatosur dhe që nga viti 2019 përmendet edhe në preambulën e Kushtetutës. Ligjet që e zbatojnë mbrohen me shumicën e dyfishtë, pikërisht që të mos ndryshohen sipas qejfit të një shumice të rastit.

Mbi të gjitha, ka realitetin. Prej më shumë se njëzet vitesh, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe institucione të tjera kanë nxjerrë mijëra juristë, mjekë, ekonomistë dhe mësues. Shumë prej tyre sot i shërbejnë po këtij shteti. A janë edhe ata “implant”?

Deklarata e kryeministrit ishte konfuze. Nga njëra anë pranon se ligji ekziston, nga ana tjetër e quan “implant”. Nuk propozon ta ndryshojë, por e vë në dyshim. Nuk e di se çfarë donte të thoshte saktësisht. E di vetëm se nuk kishte asnjë nevojë ta thoshte, aq më pak në një kohë kur studentët shqiptarë kërkojnë diçka krejt normale: të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën në të cilën kanë studiuar.

Ka edhe një mësim për ne. Një e drejtë kaq e rëndësishme nuk duhet të varet nga interpretimi i një politikani. Herën e ardhshme që do të hapet Kushtetuta, kjo çështje duhet të shkruhet qartë, që të mos e vërë më askush në pikëpyetje. Në Zvicër askush nuk diskuton nëse një student nga Fribourg-u mund të studiojë në frëngjisht apo në gjermanisht. Kjo nuk e dobëson shtetin. Përkundrazi, e forcon.

Lirim Begzati

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo