A po e kërkon edhe Erdogani fundin e Edi Ramës? Dhe ku u prishën arkadashat?

Shkruan- Berat Buzhala

Mediat e afërta me Erdoganin e godasin Ramën për lidhjet me Izraelin. Nga përplasja për kontrollin e KMSH-së, te Xhamia e Namazgjasë, shteti bektashi dhe protestat në Tiranë: çfarë fshihet pas tensioneve dhe çfarë na zbulon rasti i Azerbajxhanit?

Më 13 tetor, në Azerbajxhan ndodhi diçka e pazakonshme.

Partia në pushtet e presidentit Ilham Aliyev i kërkoi publikisht Turqisë që të mos ndërhynte në punët e brendshme të Azerbajxhanit.

Madje, në reagimin e saj, ajo i kritikoi edhe mediat turke të afërta me partinë e Erdoganit, duke i akuzuar për shpërndarje të informatave të pavërteta dhe për përpjekje për të ushtruar presion politik mbi Bakunë.

Tash, kush i njeh sadopak marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Azerbajxhanit, e kupton se sa e pazakonshme është një gjë e tillë.

Këto dy vende nuk janë thjesht aleate.

Ato e konsiderojnë veten një komb, dy shtete.

Turqia e ka ndihmuar Azerbajxhanin në aspektin diplomatik, politik dhe ushtarak. Marrëdhëniet e tyre janë shumë më të thella sesa marrëdhëniet që Turqia i ka me pothuajse cilindo shtet tjetër.

E megjithatë, ja ku jemi.

Azerbajxhani po i thotë Turqisë: mos na ndërhyni në punët e brendshme.

Po çfarë ndodhi?

Në Azerbajxhan, autoritetet kishin vendosur rregulla të reja për uniformat shkollore, duke u thirrur në karakterin laik të shtetit dhe të sistemit arsimor.

Rregullat nuk e përmendnin shprehimisht shaminë, mirëpo në disa shkolla ato ishin zbatuar në atë mënyrë që vajzave dhe mësimdhënëseve me shami nuk u ishte lejuar hyrja.

Në këtë debat u përfshi edhe këshilltari i Erdoganit, Oktay Saral, si dhe disa deputetë të partisë së tij.

Ata e kritikuan ashpër Azerbajxhanin.

Pastaj erdhi reagimi i partisë së Aliyevit.

Ju mund të mendoni se reagimi kishte të bënte vetëm me shaminë.

Jo tamam.

Në atë reagim kishte edhe një pjesë interesante, por familjare me zhvillimet e fundit në rajonin tonë.

Zyrtarë dhe media turke e kishin kritikuar Azerbajxhanin edhe për raportet që po i ndërtonte me Izraelin.

Partia e Aliyevit e mbrojti shprehimisht të drejtën e Azerbajxhanit për të pasur marrëdhënie me Izraelin.

Ajo tha se këto marrëdhënie bazohen në interesat e Azerbajxhanit, në të drejtën ndërkombëtare dhe në sovranitetin e shtetit.

Tash, më lejoni ta shtroj një pyetje.

Nëse e gjithë kjo histori filloi për shkak të shamisë, pse doli Izraeli në mes?

A ishte shamia vetëm shkas?

Dhe, sipas meje, ky është një detaj që na ndihmon t’i shikojmë pak më ndryshe disa zhvillime edhe në Shqipëri.

Çfarë po shkruajnë mediat e afërta me Erdoganin për Shqipërinë?

Sot, gjatë ditës, jam interesuar për të parë se çfarë shkruajnë për Shqipërinë mediat turke që janë të afërta me presidentin Erdogan.

Si e kanë trajtuar krizën? Kush po proteston dhe pse po proteston, sipas këtyre mediave?

Në Turqi ekzistojnë disa grupe mediatike me ndikim të madh, që kanë lidhje të ngushta me presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe me partinë e tij AKP.

Njëri është grupi Turkuvaz, ku bëjnë pjesë Sabah, A Haber dhe Daily Sabah.

Në drejtimin e këtij grupi është Serhat Albayrak.

Serhati është vëllai i Berat Albayrakut, ish-ministrit turk të Financave dhe dhëndrit të Erdoganit.

Pastaj e kemi gazetën Yeni Şafak.

Një gazetë e madhe, me ndikim në opinionin konservator turk, e cila është në pronësi të një familjeje tjetër Albayrak, që nuk ka lidhje farefisnore me dhëndrin e Erdoganit.

Por ka afërsi të gjatë politike me presidentin turk.

Tash, shikoni çfarë kanë shkruar këto media.

Më 7 qershor të këtij viti, Türkiye Gazetesi botoi një artikull me këtë titull:

“Revolta e shqiptarëve kundër Izraelit”.

Ju lutem, lexojeni edhe një herë këtë titull.

Revolta e shqiptarëve kundër Izraelit.

Jo revolta për flamingot.

Jo revolta për Zvërnecin.

Jo revolta kundër korrupsionit.

Por revolta kundër Izraelit.

Në atë artikull, gazetari Yılmaz Bilgen argumentonte se Izraeli po përpiqej ta fuste Shqipërinë në një bosht strategjik që do ta rrethonte Turqinë përmes Greqisë, Qipros dhe Adriatikut.

Një protestë shqiptare interpretohej përmes interesit strategjik të Turqisë.

Më 12 qershor, Daily Sabah botoi një analizë të Canan Tercanit me titullin:

“Loja e Re e Madhe në Ballkan”.

Në atë analizë përmendeshin investimet e Jared Kushnerit në Shqipëri, lidhjet e Edi Ramës me Izraelin, çështjet e sigurisë dhe, çuditërisht për ata që nuk i kanë përcjellë këto zhvillime, edhe projekti i shtetit bektashi.

Të gjitha këto paraqiteshin si pjesë të një gare më të madhe gjeopolitike për ndikim në Ballkan.

Më 4 korrik, A Haber publikoi një tjetër artikull.

“Partneriteti i përgjakshëm në Shqipëri”, ishte titulli.

Artikulli merrej me bashkëpunimin ushtarak të Shqipërisë me Izraelin, me trajnimin e forcave speciale dhe me lidhjet e industrisë shqiptare të mbrojtjes me kompani izraelite.

Gjuha ishte jashtëzakonisht e ashpër ndaj Ramës.

Në të njëjtin artikull trajtoheshin edhe protestat kundër investimeve të Kushnerit.

Pastaj, më 13 tetor, Yeni Şafak publikoi një tjetër shkrim me titullin që, në përkthim, mund të lexohet:

“Kthetrat e atyre që kryejnë gjenocid mbi Shqipërinë”.

Aty kritikohej thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, pavarësisht protestave që po zhvilloheshin në vend.

Tash, çfarë dua të them unë me këto shkrime?

Që Erdogani ua ka diktuar titujt gazetarëve?

Jo.

A dua të them se këto gazeta po i organizojnë protestat?

Jo.

Ajo që mund të themi është se në një pjesë të mediave të afërta me pushtetin turk ekziston një narrativë e përsëritur që e paraqet Shqipërinë e Edi Ramës si një vend ku Izraeli po e zgjeron ndikimin e vet në dëm të interesave turke.

Dhe kjo narrativë nuk ka filluar dje.

Ka muaj që po ndërtohet.

Madje, disa prej elementeve të saj janë më të vjetra sesa protestat.

Këtu nuk është fjala nëse kritika ndaj politikës izraelite është e drejtë apo e padrejtë.

Këtu po flasim për një çështje krejt tjetër.

Kush duhet ta përcaktojë politikën e jashtme të Shqipërisë? Shqiptarët, apo preferencat gjeopolitike të një shteti tjetër?

Dhe këtu tregimi bëhet edhe më interesant.

Çfarë problemi ka Turqia me shtetin bektashi?

Edi Rama e ka propozuar krijimin e një shteti sovran bektashi në Tiranë.

Një projekt të pazakonshëm, për të cilin mund të ketë debate të shumta.

Unë vetë nuk jam i sigurt se kjo është një ide e mirë.

Ka pyetje kushtetuese, institucionale dhe fetare që meritojnë përgjigje.

Por më 22 shtator, Yeni Şafak botoi një analizë jashtëzakonisht interesante me titull:

“Kundër inxhinierisë fetare në Ballkan”.

Autorja argumentonte se projekti i shtetit bektashi nuk ishte thjesht një iniciativë fetare.

Sipas saj, ai mund të ishte pjesë e një strategjie për ta dobësuar ndikimin historik dhe shpirtëror të Turqisë në Ballkan.

Madje, në atë analizë përmendeshin edhe marrëdhëniet e Baba Mondit me Izraelin.

Tash, vërejeni se çfarë po ndodh.

Një kryeministër shqiptar propozon një iniciativë brenda territorit të Shqipërisë.

Ajo iniciativë mund të jetë e gabuar. Mund të jetë kundërkushtetuese. Mund të jetë edhe krejtësisht e panevojshme.

Por në një gazetë të afërt me Erdoganin, një prej pyetjeve kryesore bëhet kjo: çfarë ndikimi do të humbë Turqia nëse realizohet ky projekt?

Pse duhet të jetë kjo pyetja vendimtare?

Pse ndikimi i Turqisë mbi jetën fetare të shqiptarëve duhet të trajtohet si një e drejtë që nuk guxon të cenohet?

Sepse Shqipëria nuk është provincë e Turqisë.

Nuk ka qenë dhe nuk duhet të bëhet.

Dhe këtu po vij te një histori edhe më serioze.

Erdogan, Bujar Spahiu dhe kërkesa që imamët shqiptarë të paguheshin nga Turqia

Në tetor të vitit 2024, gazetari Vladimir Karaj publikoi një investigim për Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë.

Xhamia ishte ndërtuar me mbështetjen financiare të institucionit shtetëror turk Diyanet.

Por, edhe pse punimet kishin përfunduar pothuajse në tërësi shumë vite më herët, inaugurimi ishte shtyrë vazhdimisht.

Pse?

Sipas investigimit, një nga shkaqet ishte përplasja ndërmjet autoriteteve turke dhe drejtuesve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për administrimin e xhamisë.

Tash, dëgjojeni me kujdes këtë pjesë.

Ish-kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, kishte treguar për BIRN-in se problemet me institucionin turk Diyanet kishin filluar që në vitin 2014.

Sipas tij, turqit kishin kërkuar që KMSH t’i ndërpriste marrëdhëniet me fondacionin Sema, që financonte dhe menaxhonte medresetë në Shqipëri.

Pastaj kishin kërkuar edhe emërimin e disa imamëve turq.

Por kërkesa më interesante ishte ajo që imamët të mund të emëroheshin ose të paguheshin nga Diyaneti.

A po e kuptoni?

Nuk po flasim më vetëm për një shtet që dëshiron të ndërtojë një xhami në Shqipëri.

Po flasim për një institucion shtetëror të huaj që kërkon rol në emërimin ose financimin e imamëve.

Nëse një imam paguhet nga një institucion fetar shqiptar, ai ka një marrëdhënie institucionale me atë komunitet.

Reklamë

Por nëse ai paguhet nga një institucion që varet nga qeveria e Turqisë, atëherë ekziston së paku mundësia që financimi të shndërrohet në mjet ndikimi.

Kjo nuk do të thotë se secili imam i financuar nga jashtë është instrument politik.

Por është një pyetje shumë serioze për autonominë e një institucioni fetar.

Bruçaj kishte treguar se KMSH nuk mund ta pranonte një kërkesë të tillë, pikërisht sepse Diyaneti është institucion shtetëror, kurse KMSH duhet të jetë institucion autonom.

Dhe ky ishte vetëm fillimi.

Sepse në këtë histori kemi edhe një person tjetër.

Bujar Spahiun.

Kryetarin aktual të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Për vite me radhë, qarqe pranë Erdoganit i kanë akuzuar drejtuesit e KMSH-së për lidhje me lëvizjen e Fethullah Gylenit.

Gyleni ishte armiku më i madh politik i Erdoganit pas tentativës për grusht shteti të vitit 2016.

Turqia e ka shpallur lëvizjen e tij organizatë terroriste, duke e quajtur FETÖ.

Ky ishte konteksti në të cilin Erdogan ushtronte presion ndaj Shqipërisë.

Në janar të vitit 2022, gjatë vizitës në Tiranë, Erdogan kërkoi publikisht masa konkrete kundër strukturave që ai i quante FETÖ.

Dhe këtu fillon loja diplomatike e Edi Ramës.

Rama ndërmjet Erdoganit dhe amerikanëve

Edi Rama ka pasur marrëdhënie shumë të mira me Erdoganin, madje dukej si vasal, dukej si poltron i Erdoganit dhe për këtë unë personalisht kam shkruar kushedi sa herë.

Më dukej që Shqipëria po e shiste sovranitetin, gjë të cilën sot po e paguan.

Rama dhe Erdogan janë takuar shumë herë.

Kanë bashkëpunuar në ekonomi, siguri, ushtri dhe diplomaci.

Por duket se në çështjen e Komunitetit Mysliman, interesat dhe kërkesat e Ankarasë nuk përputheshin gjithmonë me qëndrimet që mbështeteshin nga partnerët amerikanë.

Sepse edhe amerikanët kanë pasur marrëdhënie të vazhdueshme me KMSH-në.

Në vitin 2023, gjatë një aktiviteti të përbashkët, Bujar Spahiu tregoi se Komuniteti Mysliman, në partneritet me Ambasadën Amerikane, kishte realizuar disa projekte kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Në dhjetor të po atij viti, i ngarkuari me punë i Ambasadës Amerikane, David Wisner, e vizitoi Spahiun dhe vlerësoi bashkëpunimin me institucionin e tij.

Këto janë fakte publike.

Politikisht, Rama është përpjekur të ruajë marrëdhëniet me të dyja palët.

Nga njëra anë, Erdogani kërkonte masa kundër atyre që i konsideronte gylenistë.

Nga ana tjetër, amerikanët kishin marrëdhënie institucionale me KMSH-në dhe mbështesnin autonominë fetare.

Dhe Rama, për një kohë të gjatë, arriti ta ruante njëfarë ekuilibri.

Derisa erdhi çështja e Xhamisë së Namazgjasë.

Në tetor të vitit 2024, Erdogan shkoi në Tiranë dhe e inauguroi xhaminë bashkë me Ramën.

Por Bujar Spahiu nuk ishte në ceremoni.

Drejtuesit më të lartë të Komunitetit Mysliman, që ishte pronar juridik i xhamisë, nuk ishin të ftuar.

Në vend të një administrimi të drejtpërdrejtë nga KMSH, u gjet formula e një fondacioni të përbashkët për menaxhimin e objektit.

Pra, u gjet një kompromis.

Spahiu mbeti kryetar i Komunitetit Mysliman.

Erdogani e përuroi xhaminë.

Rama ishte aty.

Dhe Namazgjaja u hap.

Por pyetja për shkallën e ndikimit turk mbi administrimin e saj mbeti e hapur.

Për mua, kjo është pjesa më domethënëse e gjithë historisë.

Sepse tregon se marrëdhëniet Rama–Erdogan kanë pasur edhe mosmarrëveshje që nuk janë shfaqur gjithmonë në konferenca për shtyp.

Vështirë të thuhet që Erdogani është i irrituar me Ramën pikërisht për shkak të Bujar Spahiut dhe krejt këtyre që i shënova më sipër.

Por mund të them se ekziston një histori e dokumentuar përpjekjesh për ndikim mbi drejtimin dhe administrimin e institucioneve fetare shqiptare.

Dhe kjo histori nuk ka filluar me protestat e flamingove.

Nga Namazgjaja në rrugët e Tiranës

Tash, duke i ditur të gjitha këto, dua të kthehem edhe një herë te protestat në Tiranë.

Sepse ka një element që mua më ka bërë përshtypje që nga fillimi i tyre.

Në fotografitë dhe pamjet e protestave është vërejtur edhe me sy të lirë një prani shumë e madhe e grave me shami dhe e burrave me mjekra.

Madje, në gjykimin tim, pjesëmarrja e tyre ka qenë dukshëm disproporcionale në krahasim me përqindjen që këto grupe përfaqësojnë në shoqërinë shqiptare.

Nuk po flas për ndonjë statistikë zyrtare të pjesëmarrjes.

Po flas për atë që kam parë vetë.

Por ka edhe diçka shumë më konkrete.

Pjesëmarrës aktivë në protestat e Tiranës kanë qenë edhe pjesa më e madhe e stafit të Xhamisë së Namazgjasë.

Dhe këtë nuk po e them duke u bazuar në thashetheme.

Unë i kam parë fotografitë e tyre.

Kam parë pjesëtarë të stafit të kësaj xhamie të përfshirë aktivisht në protestë.

Pra, nuk po flasim thjesht për disa besimtarë që, pas faljes së namazit, kanë vendosur të dalin në një protestë qytetare.

Po flasim për një pjesëmarrje të organizuar ose së paku për një mobilizim të dukshëm të njerëzve që punojnë në një institucion fetar, administrimi i të cilit ka qenë prej vitesh objekt përplasjesh ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe turke.

Dhe ka edhe diçka tjetër.

Sipas informatave që kam, në disa xhami janë mbajtur predikime ku është përhapur mesazhi se Izraeli po e merr Shqipërinë.

Jo se po shkatërrohet ambienti.

Jo se universitetet nuk kanë kushte të mira.

Jo se ka korrupsion.

Por se Izraeli po e merr Shqipërinë.

Tash, a nuk ju duket interesante kjo përputhje?

Në Türkiye Gazetesi lexojmë për revoltën e shqiptarëve kundër Izraelit.

Në A Haber lexojmë për partneritetin e përgjakshëm Shqipëri–Izrael.

Në Yeni Şafak lexojmë për ndikimin izraelit dhe për rrezikun që shteti bektashi paraqet, sipas autorëve të saj, për ndikimin turk.

Dhe në Tiranë, sipas informatave që kam, në disa predikime fetare përsëritet e njëjta ide: Izraeli po e merr Shqipërinë.

Këto janë zhvillime që, sipas meje, nuk mund të injorohen.

Sigurisht, shamia apo mjekra nuk janë provë për përkatësi politike dhe as për ndonjë veprim të paligjshëm.

Por këtu nuk po bëjmë gjykim mbi besimin e njerëzve.

Po analizojmë një mobilizim politik dhe po pyesim nëse brenda tij ka edhe struktura, interesa dhe rrjete që ndjekin objektiva të ndryshëm nga kërkesat e deklaruara të protestës.

A do të thotë kjo se Erdogani i ka organizuar protestat?

Nuk mund ta them.

A do të thotë kjo se të gjithë ata që kanë dalë në protestë janë instrumente të Turqisë?

Absolutisht jo.

Por, duke e njohur politikën e jashtme të Turqisë, duke i parë përpjekjet e mëhershme të saj për ndikim mbi institucionet fetare në Shqipëri, duke e parë çfarë po ndodh në Azerbajxhan dhe duke i lexuar mediat e afërta me Erdoganin, mua më duket plotësisht e besueshme që Ankaraja të ketë interesa konkrete në zhvillimet e sotme shqiptare.

Do të ishte e vështirë të provohej se Turqia qëndron prapa gjithë kësaj proteste. Por, për mua, do të ishte po aq e vështirë të besohej se Turqia e Erdoganit ka qëndruar krejtësisht neutrale ndaj këtyre zhvillimeve.

Dhe këtu qëndron dallimi.

Një shtet i huaj nuk ka nevojë domosdoshmërisht ta krijojë një protestë, për ta shfrytëzuar atë.

Mund të ketë protesta të vërteta.

Mund të ketë pakënaqësi të vërteta.

Mund të ketë studentë, ambientalistë dhe qytetarë që protestojnë me arsye plotësisht legjitime.

Por në momentin kur një qeveri dobësohet, kur autoriteti i saj lëkundet dhe kur rruga merr një peshë gjithnjë e më të madhe politike, atëherë hapet edhe mundësia që aktorë të tjerë të tentojnë t’i orientojnë zhvillimet në favorin e tyre.

Dhe kjo është pikërisht ajo që ne si gazetarë kemi detyrimin ta hetojmë.

Unë nuk kam asgjë kundër Turqisë si shtet.

Përkundrazi.

Ne shqiptarët e Kosovës kemi arsye të shumta për ta vlerësuar rolin e Turqisë në sigurinë e rajonit tonë.

Turqia është vend anëtar i NATO-s. Ka mbështetur Kosovën në procese të rëndësishme dhe është një aktor ekonomik e strategjik me peshë në Ballkan.

As Shqipëria nuk ka interes të ketë marrëdhënie të këqija me Turqinë.

Por marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve nuk mund të nënkuptojnë nënshtrim dhe kufizim të së drejtës së Shqipërisë për të pasur politikë të pavarur të jashtme.

Pse, bie fjala, Turqia nuk hidhërohet me Serbinë kur kjo e fundit zhvillon raporte të ngushta ushtarake me Izraelin?

Nëse Turqia është aleate e Shqipërisë, atëherë duhet ta respektojë edhe të drejtën e saj për të pasur marrëdhënie me Izraelin.

Për të bashkëpunuar me amerikanët.

Për të vendosur vetë për institucionet e saj fetare, brenda Kushtetutës dhe autonomisë së komuniteteve.

Për ta shqyrtuar një projekt bektashi, pa e pasur si kriter përfundimtar faktin nëse Ankaraja e pëlqen apo jo.

Njësoj siç duhet ta respektojë të drejtën e Azerbajxhanit për ta përcaktuar vetë politikën e jashtme.

Tash, dikush mund të thotë:

Po edhe Shtetet e Bashkuara ushtrojnë ndikim në Shqipëri.

Sigurisht.

Edhe Izraeli ka interesa në Shqipëri.

Natyrisht.

Madje, edhe investimet e Jared Kushnerit duhet të shikohen me kujdes për shkak të lidhjeve familjare me presidentin amerikan.

Por kjo nuk e bën automatikisht çdo investim të Kushnerit operacion të shtetit izraelit.

As çdo kritik të investimit armik të Amerikës.

Dhe as çdo kritik të politikës izraelite instrument të Turqisë.

Kohe te bukura

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo