Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të mbahen më 25 tetor të këtij viti.
Siç ndodh rëndom në prag të zgjedhjeve, Kosova rikthehet si një nga temat e përdorura në diskursin politikanëve serb, ku të njëjtit i referohen Kosovës për të siguruar mbështetje elektorale, duke iu drejtuar ndjenjave nacionaliste të votuesve.
Për analistin politik, Ognjen Gogiç, Kosova ka një rëndësi të madhe simbolike dhe emocionale në politikën serbe, por nuk është çështja vendimtare rreth së cilës “partitë politike po synojnë t’i mobilizojnë votuesit në këto zgjedhje”.
Përkundrazi, në vlerësimin e tij, Kosova po përdoret kryesisht si mjet për diskreditim politik.
“Aktorët politikë akuzojnë njëri-tjetrin për braktisje të interesave kombëtare ose për përgjegjësi për situatën aktuale. Akuzat për tradhti janë pjesë e shpeshtë e kësaj retorike, ndërsa partitë synojnë t’ua kalojnë përgjegjësinë kundërshtarëve politikë, në vend që të paraqesin politika thelbësisht të ndryshme”, ka thënë ai për Albanian Post.
Në Serbi, shton më tej Gogiç, ekzistojnë organizata të shoqërisë civile dhe individë që mbështesin hapur njohjen e shtetësisë së Kosovës.
“Është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet politikës së Serbisë për mosnjohjen e Kosovës dhe synimit për të rikthyer kontrollin efektiv mbi të. Qëndrimi mbizotërues ndër partitë politike serbe është se Serbia duhet të vazhdojë politikën e mosnjohjes. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se këto parti besojnë se Serbia mund ta rikthejë realisht kontrollin mbi Kosovën”, shton ai.
Gogiç ndër të tjera ka shtuar se në zgjedhjet aktuale parlamentare nuk ka lista zgjedhore që mbështesin shprehimisht njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Serbia po ndjek një politikë të mosnjohjes, në vend të një politike aktive që synon rikthimin e kontrollit mbi Kosovën. Ruajtja e këtij qëndrimi aktualisht nuk sjell kosto të mjaftueshme politike ose praktike për të krijuar stimuj të fortë që partitë serbe ta braktisin atë”.
Kosova, ditëve të fundit, u shfaq në narrativa të ndryshme të partive politike serbe, si nga zotimet se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës deri te pretendimet se flamuri serb do të valëvitet në Prizren.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, vlerësoi se gjatë fushatës parazgjedhore në Serbi “dolën në pah ambiciet e ripërtërira territoriale ndaj Kosovës”.
“Serbia nuk mund të pretendojë se angazhohet për paqe dhe integrim evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj më të lartë e kontestojnë hapur sovranitetin e Republikës së Kosovës”, shkroi ai në llogarinë e tij në rrjetin X.