Një muaj nga dënimi me 81 vjet burgim për krerët e UÇK-së: Çfarë bëri shteti i Kosovës?
Foto: Nacionale
Sot bëhet një muaj nga dita kur Gjykata Speciale në Hagë i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dënimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka nxitur reagime të fuqishme në vend dhe jashtë Kosovës.
Për 21 ditë qytetarët në mënyrë masovike kanë protestuar në sheshet e Prishtinës dhe gjithë Kosovës. Për të kundërshtuar këtë vendim të padrejtë të shkalles së parë diaspora shqiptare ka organizuar protesta në qytetet më të rëndësishme evropiane.
U tha se Gjykata Speciale është “e paanshme” në verdiktin ndaj katërshes së UÇK-së, por raporti i BHRC kishte ngritur “alarmin”: Takimi diplomatik i vitit 2020, provat nga Serbia dhe çështje të tjera
Pas reagimeve të shumta në Kosovë kundër këtij vendimi, institucionet e vendit ndërmorën disa hapa politikë dhe institucionalë në mbështetje të krerëve të UÇK-së dhe procesit të tyre gjyqësor.
Fillimisht, Kuvendi i Kosovës miratoi një deklaratë politike përmes së cilës kundërshtoi vendimin e Gjykatës Speciale, duke shprehur qëndrimin e institucioneve ndaj dënimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Më pas, Kuvendi miratoi edhe Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Ky veprim u ndërmor në një periudhë kur në vend po shtoheshin thirrjet për veprime konkrete institucionale lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndërkaq, këtë javë, Qeveria e Kosovës mori vendim për themelimin e një grupi punues, i cili do të hartojë një strategji të përbashkët për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së në procedurën e Apelit.
Në përbërje të këtij grupi do të jenë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të partive parlamentare, ndërsa kryesimi i është besuar Glauk Konjufcës.
Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë kundër katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke i dënuar ata me gjithsej 81 vjet burgim.
Hashim Thaçi (ish-president dhe ish-drejtor politik i UÇK-së) u dënuar me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi (ish-zëdhënës i UÇK-së dhe ish-kryetar i Kuvendit) u dënuar 25 vjet burgim, Kadri Veseli (ish-kryetar i Kuvendit dhe drejtues i lartë i UÇK-së) u dënuar me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimi (ish-drejtues i UÇK-së): 13 vjet burgim.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së e ka kundërshtuar dënimin, duke e konsideruar të pa bazuar.
Avokatët kanë paralajmëruar ankesë në Dhomën e Apelit të Gjykatës Speciale.