Skandal me tekstin e Gjeografisë së klasës së shtatë: “Metohia” për Dukagjinin dhe mungojnë shqiptarët në Serbi
Nafie Selmani ngre alarm për librin shkollor: Premtimet për korrigjim mbetën vetëm fjalë
Një reagim i ri ka hapur debat për përmbajtjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Nafie Selmani ka bërë të ditur se ka pranuar ankesa nga prindër të nxënësve të klasës së shtatë, të cilët pretendojnë se në Librin e Gjeografisë vazhdon të përdoret termi “Metohi” për Rrafshin e Dukagjinit informon Tetovasot.
Sipas saj, shqetësimi bëhet edhe më i madh pasi në të njëjtin tekst, në kapitullin për Serbinë, pretendohet se anashkalohet fakti se në këtë shtet jetojnë shqiptarë.
“Ky është një shqetësim serioz, sepse bëhet fjalë për tekste nga të cilat mësojnë fëmijët tanë. Nuk është vetëm çështje politike, por mënyra se si brezave të rinj u prezantohet historia dhe realiteti gjeografik”, ka shkruar Selmani.
Ajo rikujton se në dhjetor të vitit të kaluar, pas reagimeve publike në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, nga përfaqësues të institucioneve arsimore ishte premtuar se libri do të korrigjohej.
“Por libri që kanë marrë nxënësit tregon të kundërtën. Çfarë u korrigjua? Asgjë!”, shkruan Selmani.
Ajo u ka bërë thirrje mediave, prindërve dhe institucioneve që të reagojnë dhe të kërkojnë sqarime për përmbajtjen e teksteve shkollore.
“Historia nuk duhet të shtrembërohet dhe fëmijët nuk duhet të mësojnë nga materiale që cenojnë të vërtetën shkencore dhe historike”, thekson Selmani.
Reagimi pritet të rikthejë debatin për tekstet shkollore dhe mënyrën e trajtimit të çështjeve historike e identitare në arsimin në gjuhën shqipe.TS