Gjorgjievski: Filloi ndërtimi i parkut të ri prej 71.000 m² në Novo Lisiçe

Park i ri me sipërfaqe prej 71.000 metra katrorë do të ndërtohet në lagjen Novo Lisice, në një lokacion pranë shtëpisë së futbollit (FFM) dhe stacionit të fundit të autobusit të linjës “5”, ku më parë kishte një deponi të egër.

Fillimin e aktiviteteve ndërtimore sot e shënuan zyrtarisht kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, dhe kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski.

Sipas paralajmërimeve, në hapësirë është paraparë mbjellja e rreth 1.000 drunjve, prej të cilëve mbi 800 gjetherënës dhe pjesa tjetër halore. Projekti përfshin edhe ndërtimin e shtigjeve të qasjes, këndeve rekreative për fëmijë dhe hapësira për pushim.

“Novo Lisice po merr park të ri prej 71.000 m² – hapësira e lënë pas dore po bëhet krenari e gjelbër e Shkupit! Aty ku për vite kishte deponi të egër, krijojmë hapësirë për jetë, për buzëqeshje fëmijësh, për shëtitje dhe për shoqërim mes gjeneratave. Vend që sërish do t’u përkasë qytetarëve, i mbushur me gjelbërim!”, publikoi Gjorgjievski.

Ai theksoi se çdo dru i ri i mbjellë paraqet investim në ajër më të pastër dhe mjedis më të shëndetshëm për më të rinjtë.

“Me këtë park, bashkë me parqet që tashmë i kemi ndërtuar dhe ato në të cilat po punojmë, arrijmë rreth 200.000 metra katrorë gjelbërim parkor. Pas kësaj shifre qëndrojnë hapësira konkrete që i rregullojmë dhe i kthejmë në përditshmërinë e shkupjanëve”, theksoi Gjorgjievski.

Gjorgjievski porositi se kujdesi për qytetin fillon me kujdesin për qytetarët dhe se vazhdon zhvillimi i barabartë në të gjitha komunat e Shkupit.

“Për mua, kujdesi për qytetin fillon me kujdesin për njerëzit. Me këtë çdo familje të ketë ku të shëtisë, çdo fëmijë të ketë hapësirë për të krijuar kujtime të bukura dhe çdo lagje të marrë gjelbërim ashtu siç e meriton. Vazhdojmë ta ndërtojmë Shkupin në mënyrë të barabartë, në çdo komunë, me përkushtim të njëjtë ndaj çdo qytetari. Ndërtojmë sot, për gjeneratat që vijnë. Për një Shkup më të gjelbër, për një jetë më të bukur!”, përfundoi ai.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo