Mucunski: Kemi marrëdhënie të forta me SHBA-në, të cilat na njohin si partner kyç

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, i cili është pjesë e delegacionit të Maqedonisë së Veriut që po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, në një intervistë foli për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mucunski tha se që nga formimi i administratës së re të presidentit Donald Trump, marrëdhëniet mes dy vendeve janë intensifikuar dhe se ekziston komunikim i vazhdueshëm në të gjitha nivelet, i nevojshëm për realizimin e objektivave të vendit.

Ai foli edhe për takimin me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të administratës amerikane. Sipas tij, këto takime kanë rëndësi të madhe nga aspekti bilateral, ndërsa partneriteti strategjik me SHBA-në dhe projektet konkrete të dakordësuara apo që janë në proces të dakordimit janë të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin politik e ekonomik afatgjatë të Maqedonisë së Veriut.

“Me siguri ajo që e gjithë opinioni ynë publik po dëshmon është se në periudhën që nga formimi i administratës së re të presidentit Trump, ne kemi marrëdhënie të intensifikuara dhe komunikim të vazhdueshëm në të gjitha nivelet që i nevojiten shtetit për t’i realizuar qëllimet e veta”, tha Mucunski.

Ai theksoi se bashkëpunimi në radhë të parë zhvillohet përmes Departamentit amerikan të Shtetit, ku përcaktohen dhe realizohen prioritetet e politikës së jashtme amerikane. Mucunski përmendi gjithashtu bashkëpunimin me përfaqësuesin tregtar të SHBA-së dhe me sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick.

Sipas ministrit, Maqedonia e Veriut, pavarësisht se është një shtet i vogël për nga territori dhe numri i banorëve, po merr vëmendjen e merituar në Uashington.

“Kjo shihet si përmes komunikimit politik, ashtu edhe përmes përkushtimit të SHBA-së për realizimin e projekteve konkrete me interes të përbashkët në vendin tonë, si dhe në atë që është e rëndësishme në botën multilaterale”, tha Mucunski.

Ai e veçoi takimin me sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, si dhe takimet me drejtues të tjerë të Departamentit të Shtetit.

“Është e rëndësishme nga aspekti bilateral për ne, sepse partneriteti strategjik dhe e ardhmja e tij, e lidhur me projektet konkrete që tashmë i kemi dakorduar dhe ato që po i dakordojmë, janë thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin politik dhe ekonomik afatgjatë të shtetit tonë”, deklaroi ai.

Muçunski komentoi edhe reagimet e opozitës për këto takime, duke thënë se e sheh me habi mënyrën se si partia kryesore opozitare i komenton kontaktet me zyrtarët amerikanë.

“Fakti që sekretari i Shtetit Rubio dhe zëvendëssekretari i Shtetit Landau na njohin si një nga partnerët kyç të SHBA-së dhe që kemi një dinamikë të tillë takimesh, është në interes të të gjithë shtetit. Nuk është në interes vetëm të një qeverie”, tha Mucunski.

Në intervistë, ministri u ndal edhe te integrimi evropian dhe marrëdhëniet me Bullgarinë.

Muçunski tha se prioritetet e politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut bazohen në tri shtylla: anëtarësimi në NATO, partneriteti strategjik me SHBA-në dhe rruga drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, asnjëra prej këtyre prioriteteve nuk është më pak e rëndësishme se tjetra.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut dëshiron të ecë përpara në rrugën drejt BE-së dhe të marrë më në fund mundësinë për hapjen e negociatave, por nuk është e gatshme të pranojë “me çdo çmim” një kompromis që nuk i siguron vendit parashikueshmëri.

“Po, ne duam të ecim përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian, më në fund ta marrim atë mundësi për t’i hapur negociatat, por gjithashtu nuk jemi të gatshëm me çdo çmim të pranojmë një kompromis që nuk i siguron shtetit parashikueshmëri”, theksoi Mucunski.

Në këtë drejtim, ai tha se për Maqedoninë e Veriut është e rëndësishme që në të gjitha bisedimet e ardhshme me Bullgarinë të përfshihet edhe Bashkimi Evropian.

Sipas tij, kjo mund të nënkuptojë përfshirjen e vendeve të veçanta anëtare ose të institucioneve evropiane, por është e rëndësishme që në proces të ketë edhe një palë tjetër, e cila do të ndihmonte në ndërtimin e besimit.

“Është e rëndësishme që të ketë së paku edhe një palë tjetër në këtë proces, që do të ndihmojë të fillojmë ta ndërtojmë besimin. Sepse, siç ka theksuar disa herë edhe kryeministri, aktualisht mes nesh dhe Bullgarisë në mënyrë fundamentale mungon besimi”, tha Mucunski.

Ai shtoi se pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork shfrytëzohet edhe për intensifikimin e kontakteve me administratën amerikane, por njëkohësisht edhe për takime me liderët botërorë dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, me qëllim avancimin e interesave të Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo