Kurti në New York: Lugina e Preshevës në fokus të bisedës me kongresistin amerikan Mike Lawler

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në New York është takuar me kongresistin amerikan Mike Lawler, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Në takim, pjesë e të cilit ishte edhe deputeti shqiptar Shaip Kamberi, është diskutuar edhe situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, me theks të veçantë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kurti tha se, edhe pas 25 vitesh dhe katër kornizave integruese, shqiptarët në Luginë vazhdojnë të përballen me atë që ai e cilësoi si diskriminim institucional, ndërsa përfaqësimi i tyre në institucionet shtetërore mbetet shumë larg përfaqësimit proporcional me popullsinë.

Një ndër çështjet kryesore të ngritura në takim ishte pasivizimi i adresave, që sipas Kurtit prek mijëra shqiptarë dhe ka pasoja të drejtpërdrejta në të drejtën e votës dhe në pajisjen me dokumente identifikimi.

Kurti tha se me kongresistin Lawler është diskutuar edhe mundësia e adresimit të kësaj çështjeje.

Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, mbështetjen amerikane për integrimin e Kosovës në NATO, si dhe mundësitë për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, veçanërisht në teknologji, prodhim dhe energji.

Kurti e ka cilësuar SHBA-në si aleatin më të rëndësishëm të Kosovës, duke theksuar se miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbeten ndër shtyllat kryesore të shtetësisë së Kosovës.

Pjesë e bisedës ishte edhe aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Kurti ka shprehur qëndrimin se duhet bërë dallimi mes pretendimeve të bëra gjatë procesit dhe asaj që është provuar dhe vendosur nga gjykata.

Ai ka përmendur edhe çështjen e të ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë” dhe pretendimet për trafikim organesh, duke theksuar se këto pretendime nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës së ngritur nga Dhomat e Specializuara.

Sipas Kurtit, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, ndërsa ai ka kritikuar edhe jotransparencën e Gjykatës Speciale dhe dënimet e shqiptuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo