Mickoski: Kjo Qeveri për dy vjet e rriti pensionin mesatar të pleqërisë për mbi 6.800 denarë; 12,6 herë është dallimi me Qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së





Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur një pyetjes gazetareske lidhur me vendimin se llogaritja do të bëhet në përputhje me ligjin, ajo lineare tërhiqet, dhe lidhur me kritikat e opozitës se pensionistët janë harruar, deklaroi:
“Opozita, përmes ekspertëve të saj, dërgonte parashtresa dhe ankesa në Gjykatën Kushtetuese që atë që kjo Qeveri ua rriti pensionistëve, t’ua marrë, që ta kthejnë prapa. Kjo është hipokrizia e opozitës së sotme, e cila përmes ekspertëve të saj, deri para disa javësh, përpiqej që atë që kjo Qeveri ua mundësoi pensionistëve, t’ua marrë.
E tani, të bëjmë krahasim me atë që është bërë nga kjo Qeveri në dy vitet e para, sepse kaq është kjo Qeveri, 26–27 muaj. Dhe me atë që është bërë nga Qeveria e mëparshme në dy vitet e para. Në dy vitet e para, Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së ua rriti pensionet pensionistëve për afërsisht 540 denarë. Kjo Qeveri për më shumë se 6.800, mesatarisht po flas. Pensionin mesatar të pleqërisë për mbi 6.800 denarë. Para disa ditësh dhashë deklaratë dhe thashë se dallimi është 16 herë bëra gabim, kërkoj falje, dallimi është 12,6 herë. Të jemi tani më të saktë. Ose, ajo që bëmë ne gjatë këtyre 25–26 muajve është më shumë se ajo që bënë ata gjatë 7 viteve sa ishin Qeveri. E të mos flas për atë që ua shfuqizonin ligjin, pastaj shpiknin ndonjë model zviceran e kështu me radhë. Ose të mos kthehemi në të kaluarën, kur pensionistëve u ishte mohuar ajo përqindje nga pensioni i tyre në kohën e Qeverive të mëparshme të LSDM-së.
Pra, për ta përmbledhur, nga njëra anë ata dërgojnë ekspertët e tyre të cilët i lavdërojnë në rrjetet social që t’i kontestojnë përpara Gjykatës Kushtetuese vendimet e kësaj Qeverie për rritjen lineare të pensioneve, ndërsa nga ana tjetër, me hipokrizi dalin pa asnjë argument, përpiqen të dërgojnë kritikë. Por, bashkëqytetarët tanë janë të vetëdijshëm për atë që ka bërë kjo Qeveri dhe ajo e mëparshmja. Pra, ata mund të bëjnë një dallim të qartë. Unë nuk them se kjo është e mjaftueshme, nuk them se kjo do t’i zgjidhë të gjitha problemet, por është shumë më mirë se sa ishte në kohën e LDSM dhe BDI.”

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo