“Kudo që shkoj ka shqiptarë që më qerasin,” Wesley Clark: Ndihem si pjesë e familjes! Ishte guximi juaj që solli ndryshimin në Kosovë

Wesley Clark: Mes shqiptarëve ndihem si në familje! Guximi juaj solli ndryshimin në vitin 1999

Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, foli për lidhjen e tij me shqiptarët, guximin e rezistencës në Kosovë dhe përvojat në Ruandë e Bosnje që ndikuan në vendosmërinë e tij për të mos lejuar përsëritjen e mizorive, gjatë mbrëmjes gala të organizuar në SHBA nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane. Në aktivitet, ku merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama, Clark u nderua me një çmim.

Në fjalën e tij, ai tha se vlerësimi kishte një kuptim që shkonte përtej ceremonisë: ndjenjën se ishte pjesë e komunitetit shqiptar.

“Dua t’ju them thjesht se sa i nderuar jam që marr këtë çmim, por është më shumë se kaq: është të jesh pjesë e komunitetit tuaj. Sa herë që udhëtoj, kudo që shkoj, gjithmonë ka dikë nga Shqipëria. Ndihem si pjesë e familjes”, u shpreh Clark.

Ai rrëfeu se shqiptarët e përshëndesin në restorante e aeroporte, në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, duke i kujtuar Kosovën dhe shpesh duke këmbëngulur ta qerasin. Në një rast, tregoi ai, një burrë e kishte përshëndetur me thirrjen “UÇK”, ndërsa në një tjetër kamerieri i kishte sjellë ëmbëlsirën me një përshëndetje për Kosovën.

Clark përmendi edhe një darkë në Café Milano, ku një person nga Kosova ishte afruar për ta takuar dhe kishte këmbëngulur që ai të mos paguante.

“Aty ishte dikush nga Kosova për të na përshëndetur dhe për të na thënë: ‘Jo, jo, nuk mund ta paguani darkën. Nuk mund ta paguani darkën’”, rrëfeu ai, duke shtuar me humor se më pas i kishin lënë kamerieres një bakshish të mirë.

Për Clark, këto takime janë edhe dëshmi e rëndësisë që ngjarjet e vitit 1999 vazhdojnë të kenë për shqiptarët.

“E di, sepse ju ma keni treguar, sa shumë do të thoshin për ju ato ngjarje të 1999-ës. Ato do të thonë shumë edhe për mua”, tha ai.

Duke iu kthyer ndërhyrjes së NATO-s, Clark tregoi një bisedë me një ambasadore të Kosovës, të cilës iu referua me emrin Flora, për organizimin e një darke përkujtimore më 24 mars. Ai e kishte pyetur përse ishte zgjedhur data e nisjes së bombardimeve dhe jo ajo e përfundimit të tyre në qershor.

“Ajo tha: ‘Sepse kur dëgjova zhurmën e avionëve të NATO-s, e dija se do të shpëtoheshim’”, kujtoi Clark.

Në vijim, ish-gjenerali vuri në qendër guximin dhe vendosmërinë e vetë shqiptarëve. Ai përmendi Adem Jasharin dhe njerëzit e parë që luftuan kundër dominimit serb në Kosovë, duke theksuar se ata paguan një çmim për lirinë që shumë njerëz në Perëndim e merrnin si të mirëqenë.

“Historia fillon me guxim. Fillon me guximin tuaj dhe vendosmërinë, me besimin në qytetërimin tuaj, gjuhën tuaj, kulturën tuaj, familjet tuaja”, tha ai.

Clark ia atribuoi ndryshimet e asaj periudhe përkushtimit të njerëzve që rezistuan dhe u bëri thirrje të pranishmëve të ruanin kujtesën e unitetit që e bëri të mundur atë ndryshim.

“Ishte kuraja juaj, përkushtimi juaj që bëri të ndodhnin të gjitha këto ngjarje të vitit 1999. Jo imi, juaji”, u shpreh ai.

Një pjesë të fjalimit Clark ia kushtoi klimës ndërkombëtare pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ai kujtoi pasigurinë me të cilën ishte rritur brezi i tij, frikën nga përplasja bërthamore dhe ndryshimin e papritur që solli rënia e Murit të Berlinit. Sipas tij, vitet që pasuan u shoqëruan në Perëndim me besimin se demokracia, të drejtat e njeriut dhe liritë individuale kishin triumfuar.

Pikërisht në atë periudhë, tha Clark, guximi i njerëzve në Ballkan nxiti ndryshimin dhe gjeti mbështetje ndërkombëtare. Ai kujtoi angazhimin e paqeruajtësve në Kroaci e Bosnje, si dhe përpjekjet diplomatike të vitit 1995, kur ishte përfshirë në negociata së bashku me Richard Holbrooke.

Clark tregoi se gjatë bisedimeve e kishin ngritur edhe çështjen e Kosovës me Sllobodan Millosheviçin, por ky i fundit kishte refuzuar ta diskutonte.

“Biseduam me Millosheviçin për Kosovën. Ai tha: ‘Jo, ajo është imja. Nuk do të flas për këtë’”, rrëfeu ai.

Në pjesën përmbyllëse të materialit, Clark foli për ndikimin që kishin pasur tek ai masakrat në Ruandë dhe dëshmitë për mizoritë në Bosnje. Ai tregoi se, kur shërbente në Pentagon, kishte hartuar një plan për ndërhyrje në Ruandë, por, sipas tij, propozimi ishte ndalur nga eprori dhe nuk kishte mbërritur te presidenti Bill Clinton.

“Unë jetova me fajin e kësaj”, tha Clark, duke e lidhur atë përvojë me vendosmërinë që ndjeu më pas përballë dhunës në Ballkan.

Ai kujtoi edhe tronditjen nga dëshmitë për torturimin e civilëve në Bosnje, përfshirë fëmijë. Clark tha se këto përvoja e kishin shtyrë të merrte një zotim personal: të vepronte sa herë të kishte mundësinë të ndalte mizori të tilla.

“I thashë vetes: Kurrë, kurrë, kurrë nuk do të lejoj të ndodhë diçka e tillë, nëse kam një shans ta ndal”, u shpreh ai.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo