Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se në Nju Jork ka marrë pjesë në një mbrëmje të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, ku është takuar me gjeneralin amerikan Wesley Clark dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.
Mexhiti, përmes një postimi, ka vlerësuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, duke theksuar rolin që ato kanë pasur gjatë periudhave të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.
“Disa miqësi i ndërton diplomacia. Disa të tjera i vulos historia. E miqësia e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara i ka të dyja”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka veçuar kontributin e gjeneralit Wesley Clark gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se emri i tij lidhet me një nga periudhat më vendimtare të historisë së re të shqiptarëve.
Mexhiti ka shprehur mirënjohje për Clark dhe për Shtetet e Bashkuara, duke thënë se edhe pas më shumë se dy dekadash, respekti për rolin e tyre mbetet i fuqishëm.
“Ishte kënaqësi ta takonim dhe t’i shprehnim nga afër respektin për kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur shqiptarët kishin më së shumti nevojë për miq dhe aleatë të fuqishëm”, ka deklaruar Mexhiti.