Sot, në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, kthehemi te një e vërtetë paradoksale: dokumenti që i dha fund konfliktit nuk ishte thjesht një produkt i krizës, por ide e kristalizuar e Partisë Demokratike Shqiptare dhe e mendimit filozofik të Arbën Xhaferit, të hartuar shumë kohë para se të tjerët të kuptonin se shteti po digjej nga verbëria e vet.
Ironia më e madhe e politikës është se shpesh ajo që pranohet me vështirësi në tavolinë, imponohet nga kthesat e historisë.
Ne nuk reaguam ndaj fatit – ne e projektuam atë duke sfiduar mitin e rrezikshëm të numrave, duke dëshmuar se demokracia e vërtetë nuk matet me shumicë etnike, por me konsensus e barazi mes të barabartëve.
Aty ku të tjerët shihnin vetëm pushtet, ne denoncuam padrejtësinë ekonomike, duke kërkuar që taksat e djersës sonë të kthehen në të mirë publike e jo në privilegj të njëanshëm.
Ne ofruam formulën se si një shtet mund të mbahet bashkë vetëm duke u ndarë drejt e me dinjitet.
Ohri ishte vetëm vulosja e një vizioni që pushteti i kohës e refuzoi derisa u detyrua ta pranojë. Sot, në këtë çerek-shekull, sfida jonë mbetet e njëjta: të mbrojmë nga harresa dhe keqpërdorimi atë që e menduam kur të tjerët ende shkatërronin.
Barazia nuk është dhuratë; ajo është arkitekturë që kërkon guxim për t’u ruajtur!