Mickoski: Pritëm 30 vjet që të përfundojë hekurudha drejt Bullgarisë, më në fund kjo Qeveri e mbylli këtë çështje si projekt dhe si konstruksion financiar
“Në përgjithësi, gjithçka është thënë dhe unë nuk kam se çfarë të shtoj sa i përket karakteristikave teknike. Sa i përket financimit – meqenëse Beni e përmendi, ashtu si edhe disa politikanë të opozitës përmendën humbjen e grantit prej 60 milionë eurosh – dua të sqaroj se ky është rezultat i dy viteve punë intensive. Këto dy vite e kristalizuan, e optimizuan dhe e bënë më të qartë këtë projekt.
Në çfarë kuptimi? Ashtu siç ishte edhe para dy vitesh, ky projekt nënkuptonte që ndërtimi të përfundonte në gjysmën e tunelit, pa pasur një përcaktim të qartë nga fqinji ynë lindor se do të realizonte modernizimin e segmentit që lidh kufirin e tyre me kufirin tonë dhe me Sofjen, përfshirë edhe gjysmën tjetër të tunelit.
Po, u desh kohë. U desh të arrihej përparim në bisedimet me fqinjin tonë lindor, ky përparim u arrit, u nënshkruan marrëveshje, kemi angazhim nga të dyja palët dhe tani kemi tunelin, i cili praktikisht përbën pjesën e tretë të projektit. Sepse, nëse segmenti i tretë përfundon në hyrje të tunelit, atëherë nga dalja e tunelit deri te lidhja me rrjetin kombëtar hekurudhor në Sofje kemi angazhimin e fqinjit tonë lindor për modernizimin e qartë të atij segmenti të Korridorit VIII dhe kemi një projekt të përbashkët – tunelin, për të cilin presim që të financohet plotësisht si grant nga Komisioni Evropian.
Kjo nuk ishte kështu në qershor të vitit 2024. Duheshte të shpenzojmë më shumë se gjysmë miliard euro, ndoshta edhe më tepër, që të përfundojmë deri në gjysmë tunelin, në mes të askundit. Tani situata është krejtësisht më e qartë. Tani kemi një tërësi që do t’i lidhë dy shtetet dhe që do të krijojë vlerë të shtuar për të dy vendet. Siç u tha, ky është një nga prioritetet e NATO-s, por edhe një nga prioritetet ekonomike të të dy shteteve.
Do të theksoj dy gjëra që mendoj se janë të rëndësishme: isha adoleshent kur për herë të parë u përmend pjesa lindore e Korridorit VIII. Sot jam Kryetar i Qeverisë dhe me kënaqësi mund të them se pjesa lindore e Korridorit VIII më në fund do të përfundojë. Nëse atëherë kam qenë adoleshent dhe sot jam 48 vjeç, kjo do të thotë se pritëm më shumë se 30 vjet që ajo që dikur na premtohej, më në fund kjo Qeveri ta mbyllë si projekt dhe si konstruksion financiar, falë politikave që ndjek, por edhe me mbështetjen e jashtëzakonshme të partnerëve tanë nga institucionet financiare evropiane, si Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Natyrisht, këtu është edhe Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor e Komisionit Evropian, përkatësisht granti prej 169 milionë eurosh që do të ndahet, si dhe dy pjesët e financimit nga këto dy institucione financiare.
Gjëja e dytë që e theksova në fillim të fjalimit tim është se ky projekt nuk do të përfundojë në gjysmën e një tuneli, në një rrugë pa dalje. Tani kemi një tërësi funksionale dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sepse kur ndërtoni diçka, ajo duhet të jetë funksionale – nuk mjafton vetëm të bëni një shenjë me gjëra dhe të thoni: ‘Mirë është, e filluam këtë, mbajtëm konferencë për shtyp, folëm dhe i shpenzuam paratë.’ Këto para dikush duhet t’i kthejë, ndërsa në masën më të madhe do t’i kthejnë qytetarët e këtij vendi. Nëse qytetarët do t’i paguajnë, atëherë duhet të kemi një projekt të plotë që do të gjenerojë të ardhura. Tashmë, me mënyrën se si është formuar dhe optimizuar ky projekt, mund të themi se ai do të sjellë vlerë të shtuar për ekonominë maqedonase.
Si Qeveri, vazhdojmë ta përmbyllim procesin e Korridorit VIII. Në kuadër të Agjendës Reformuese mund të them se segmenti nga Shkupi deri në Gostivar, përmes Jegunovcit dhe Tetovës, do të përfshihet në pjesën e financimit – këtu e kam fjalën për modernizim dhe elektrifikim. Përfaqësuesi i Bankës Evropiane të Investimeve përmendi edhe segmentin e Korridorit VIII që duhet të lidhë Gostivarin, Kërçovën, Strugën dhe kufirin me Shqipërinë, megjithatë, këtu duhet të jemi të kujdesshëm me rekomandimet e UNESCO-s. Pikërisht për këtë arsye kemi siguruar një periudhë prej 3+2 vitesh, që të mos e vendosim asnjë qeveri të ardhshme të përballet me të njëjtin problem që ne e trashëguam nga qeveritë e mëparshme. Kështu që, kur tërheqim vijat në letër, duhet të kemi shumë kujdes se si ato do të ndikojnë në praktikë mbi mjedisin, por edhe mbi jetën e qytetarëve. Për ne është me rëndësi që Rajoni i Ohrit dhe Strugës të mbetet trashëgimi botërore natyrore dhe kulturore, e mbrojtur nga UNESCO dhe besoj se kjo është e rëndësishme për të gjithë të pranishmit këtu.
Kështu që, ta përmbylli, jam jashtëzakonisht i lumtur dhe i kënaqur që sot jemi pjesë e kësaj ngjarjeje të veçantë. Dëshiroj t’i falënderoj kolegët e mi nga Qeveria, zëvendëskryeministrin dhe ministër i Transportit, ministren e Financave, drejtorin e NP Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastrukturë, partnerët tanë nga institucionet financiare evropiane dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen. Kjo është edhe një dëshmi se kur punohet me përkushtim dhe bashkërisht, ajo që duket e vështirë ose e pamundur bëhet realitet.
Në të vërtetë, tani vijon pjesa më e vështirë. Siç u tha nga disa prej folësve sot, ndërtimi i këtyre rreth njëzet kilometrave është një sfidë e vërtetë nga aspekti inxhinierik. Këtë nuk e them vetëm si Kryetar i Qeverisë, por edhe si inxhinier, por, jam i bindur në kapacitetet që posedon sektori ndërtimor maqedonas. Pres që ai të japë një kontribut të madh në realizimin e këtij projekti, të organizohet mirë dhe të marrë pjesë në tenderin që pres të përfundojë gjatë këtij viti, ndërsa vetë ndërtimi të nisë po këtë vit. Me këtë do të kemi edhe implikime pozitive për sektorin e ndërtimtarisë, i cili më pas kontribuon në Bruto Prodhimin Vendor të vendit.
Kaq nga unë dhe ju falënderoj. Gjithashtu, falënderoj edhe përfaqësuesit e mediave që janë sot me ne.”