Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para seancës konstituive ka deklaruar se partia po përpiqet vazhdimisht për t’i shmangur zgjedhjet e reja, përcjell TV21. Para mediave, ai shtoi se në diskutimet me VV-në, po përpiqet që të përfaqësohen bindjet e LDK-së.
“Përderisa përpiqemi, takohemi, mbesim të vetmit që duam t’i shmangim zgjedhjet e reja. Të gjithë ata që na kritikojnë, s’e kuptojnë pse po takohemi, çfarë qëllimi kemi, besoj që na kërkojnë të shkojmë në zgjedhje të reja edhe një herë. Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme edhe një herë, është dëmi më i madh që i bëhet Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Abdixhiku, i cili është takuar tri herë me Kurtin në përpjekje për të arritur një marrëveshje tejet të nevojshme për formimin e institucioneve dhe përfundimin e krizës politike, tha se mes palëve ka ende dallime të mëdha për çështjen e presidentit.
“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore, që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet sot, nuk ka arsye për të mos u konstituuar”, tha Abdixhiku.