“Maqedonia e maqedonasve”: Nga paqja te rikthimi i konfliktit

Nga Sefer SELIMI

Njëzet e pesë vjet më parë, Maqedonia ishte në buzë të humnerës. Konflikti i vitit 2001 nuk lindi brenda natës dhe as nuk ishte rezultat i një incidenti të izoluar. Ai ishte shpërthimi i një problemi të akumuluar ndër vite: një shtet që formalisht u përkiste të gjithëve por në praktikë nuk i trajtonte të gjithë si të barabartë.

Në themel të këtij problemi qëndronte një doktrinë e pashkruar politike dhe institucionale: “Maqedonia e maqedonasve”. Kjo qasje, e cila e konceptonte shtetin si pronë ekskluzive të një etnie, krijoi një hierarki të brendshme qytetarie. Ajo nuk i përjashtonte shqiptarët vetëm nga përfaqësimi i plotë institucional por edhe nga ideja themelore e barazisë në shtet. Pikërisht kjo doktrinë ishte burimi i tensioneve të kaluara dhe mbetet rreziku potencial për tensione të ardhshme.

Shqiptarët ishin të nënpërfaqësuar në institucionet shtetërore, gjuha shqipe ishte e ndaluar për përdorim zyrtar, decentralizimi ishte koncept inekzistent dhe vendimmarrja shtetërore mbetej monopol i shumicës etnike. Problemi nuk ishte vetëm se shqiptarët kërkonin më shumë të drejta, problemi ishte se modeli i atëhershëm i shtetit nuk arrinte t’i akomodonte ata si pjesë të barabartë të tij.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit e ndali konfliktin sepse ndryshoi pikërisht këtë logjikë.

Ajo ishte kompromisi historik ndërmjet dy alternativave: ndarjes së territorit dhe ndarjes së pushtetit. Maqedonia mbeti shtet unitar, ndërsa shqiptarët fituan mekanizma që duhej t’u garantonin pjesëmarrje reale në shtet: përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, përdorimin e gjuhës shqipe, decentralizimin, shumicën e dyfishtë (Badenterin) dhe një model politik në të cilin vendimet që prekin marrëdhëniet ndëretnike nuk mund të imponohen thjesht përmes forcës së numrave.

Kjo ishte formula e paqes.

Marrëveshja e Ohrit nuk i zgjidhi të gjitha problemet. Zbatimi i saj ishte i ngadalshëm, i paplotë dhe i politizuar. Por për 25 vjet ajo krijoi diçka shumë më të rëndësishme: bindjen se problemet ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve mund të zgjidhen brenda institucioneve dhe jo jashtë tyre.

Ky ishte ndoshta suksesi i saj më i madh.

Sot, 25 vjet më vonë, pikërisht kjo bindje po vihet në rrezik.

Prej vitit 2024 po shohim një proces që nuk mund të shpjegohet më me incidente të izoluara. Shfuqizimi i mekanizmit të Balancuesit, pasiguria rreth përfaqësimit të drejtë, kontestimi i vazhdueshëm i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, relativizimi i shumicës së Badenterit dhe, mbi të gjitha, injorimi i vullnetit politik të shumicës së shqiptarëve në formimin e pushtetit, krijojnë së bashku një tendencë shumë më shqetësuese.

Po ndryshon filozofia mbi të cilën u ndërtua paqja e vitit 2001.

Problemi nuk është një vend pune më shumë apo më pak. Nuk është një tabelë në shqip. Nuk është as një parti që është në pushtet dhe një tjetër që është në opozitë.

Problemi është nëse Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të funksionojë si shtet i ndërtuar mbi ndarjen e pushtetit ndërmjet komuniteteve apo do të rikthehet gradualisht në modelin e sundimit të shumicës që buron nga e njëjta doktrinë e vjetër e “Maqedonisë së maqedonasve”, e cila prodhoi konfliktin e vitit 2001.

Kjo është arsyeja pse argumenti se “institucionet funksionojnë” nuk mjafton. Edhe para vitit 2001 kishte institucione, parlament, qeveri, gjykata dhe zgjedhje. Problemi ishte legjitimiteti që ato kishin në sytë e një pjese të madhe të qytetarëve, me saktesisht të 1/3 e popullatës atuoktone.

Paqja nuk është thjesht mungesë e të shtënave.

Paqja është bindja se sistemi është i drejtë. Se vota jote ka peshë. Se gjuha jote respektohet. Se shumica e “Lindjes” nuk mund të përdorë numrat për të vendosur për “Perëndimin”. Dhe, mbi të gjitha, se konfliktet politike mund të zgjidhen brenda sistemit sepse sistemi të njeh si pjesë të barabartë të tij.

Kur këto bindje fillojnë të zhduken, fillon të përfundoj edhe paqja.

Prandaj 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit nuk duhet të shënohet vetëm me konferenca, fjalime ceremoniale dhe fotografi nga viti 2001. Duhet të jetë moment alarmi.

Marrëveshjet e paqes nuk shemben domosdoshmërisht në një ditë. Ato mund të vdesin ngadalë: një mekanizëm sot, një e drejtë nesër, një precedent pasnesër. Secili veçmas mund të duket teknik dhe i parëndësishëm por së bashku ndryshojnë ekuilibrin mbi të cilin është ndërtuar sistemi.

Edhe më e rrezikshme është bindja se, meqë kanë kaluar 25 vjet, konflikti i vitit 2001 i përket historisë dhe nuk mund të përsëritet.

Historia rrallë përsëritet në të njëjtën formë. Por shkaqet e konflikteve mund të rikthehen dhe me to edhe konflikti.

Nëse shqiptarët përsëri ndihen të papërfaqësuar në shtet; nëse gjuha e tyre përsëri perceptohet si kërcënim dhe jo si e drejtë; nëse mekanizmat që parandalojnë mbivotimin etnik dobësohen; nëse vullneti i tyre politik konsiderohet i parëndësishëm; atëherë gradualisht po rikrijohen kushtet politike që Marrëveshja e Ohrit kishte për qëllim t’i eliminonte.

Asnjë vendimmarrës racional nuk duhet ta dëshirojë konfliktin dhe asnjë udhëheqës i përgjegjshëm nuk duhet ta përdorë atë si kërcënim politik.

Por po aq e papërgjegjshme është të besohet se paqja është e pakthyeshme dhe konflikti vetëm histori.

Paqja duhet mirëmbajtur. Kompromiset duhet respektuar. Marrëveshjet duhet zbatuar. Dhe shteti duhet çdo ditë t’u dëshmojë qytetarëve të tij se u përket edhe atyre.

Në vitin 2001, bashkësia ndërkombëtare, liderët politikë maqedonas dhe shqiptarë dhe shoqëria në përgjithësi patën mençurinë që konfliktin ta shndërrojnë në marrëveshje.

Njëzet e pesë vjet më vonë, sfida është e kundërt: të mos lejojmë që marrëveshjen ta shndërrojmë përsëri në konflikt.

“Maqedonia e maqedonasve” nuk është formulë për prosperitet dhe paqe, është receta më e mirë për konflikt dhe përplasje.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo