Projekti për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë ka një histori që nis që nga viti 2016 dhe ka kaluar nëpër disa faza, tenderë, ndryshime të trasesë dhe vonesa administrative.
Në vitin 2016 u përgatit Studimi i Fizibilitetit për autostradën me gjatësi totale prej 12.7 kilometrash.
Më 5 tetor 2018, Qeveria vendosi që dy kilometrat e parë të kenë prioritet, ndërsa në korrik 2019 u shpall tenderi për këtë fazë.
Më 17 shkurt 2020, kompania Granit nënshkroi kontratën për ndërtimin e dy kilometrave të parë, me vlerë rreth 14.3 milionë euro, ndërsa punimet në terren nisën më 27 korrik 2020.
Gjatë periudhës 2020–2024, projekti pësoi ndryshime, përfshirë ndërtimin e një muri të madh mbrojtës. Gjithashtu, traseja u ndryshua dy herë për shkak të çështjeve që lidhen me varrezat në Bllacë dhe poligonin e Stenkovecit. Dy kilometrat e parë përfunduan në fillim të vitit 2024.
Faza e dytë: 10.5 kilometra
Pjesa e dytë, prej 10.5 kilometrash, ishte projektuar, buxhetuar dhe tenderuar në vitin 2023, gjatë qeverisjes së BDI-së. Financimi u sigurua përmes BERZH-it, ndërsa projektimi u realizua nga Hill International.
Më 7 korrik 2023 u shpall tenderi për ndërtimin e 10.5 kilometrave. Në tender aplikuan 11 kompani, një vendore dhe 10 të huaja. Procesi vazhdoi me negociatat me BERZH-in dhe parakualifikimin e kompanive, por më pas, me formimin e Qeverisë teknike dhe shpalljen e zgjedhjeve të vitit 2024, procedurat u ndërprenë për shkak të kufizimeve të Kodit Zgjedhor.
Çfarë ndodhi pas zgjedhjeve?
Pas formimit të Qeverisë VMRO–VLEN, u deklarua se projekti kishte probleme, se do të anulohej, se traseja do të ndryshohej dhe se autostrada do të ndërtohej me dy korsi.
Megjithatë, sipas këtij kronologjimi, projekti përfundimisht vazhdoi pa ndryshime thelbësore: nuk u ndryshua traseja, zgjidhja teknike, numri i kilometrave apo projekti bazë.
Pra, pas deklaratave për anulim dhe rishikim, procedura u vazhdua në thelb aty ku kishte mbetur.
Ndryshimi kryesor: çmimi
Një nga çështjet kryesore që ngre ky projekt është rritja e kostos.
Për ndërtimin e 10.5 kilometrave, vlera e përmendur tashmë arrin në rreth 210 milionë euro.
Kjo i bie:
210 milionë € ÷ 10.5 km = 20 milionë € për kilometër.
Nëse llogaritet sipas vlerës totale të kontraktuar dhe shifrave të publikuara, kostoja afrohet në rreth 21 milionë euro për kilometër.
Edhe një element tjetër mbetet i njëjtë: realizuesi është sërish Granit Maqedoni.
Gjatë mandatit të kaluar, qeveria e BDI-së kishte investuar gjithashtu në rindërtimin e rrugës magjistrale Shkup–Bllacë dhe tunelit, duke përmirësuar këtë lidhje rrugore.
Në këtë mënyrë, historia e autostradës Shkup–Bllacë tregon se bëhet fjalë për një projekt të nisur shumë vite më parë, i cili është planifikuar, projektuar, financuar dhe tenderuar, ndërsa pas një vonese prej rreth 2.5 vitesh, po vazhdon në thelb me të njëjtin projekt.
Ndryshimi kryesor nuk është traseja, projekti apo numri i kilometrave.
Ndryshimi është koha e humbur dhe kostoja e rritur./TS/