Nga Koronavirusi te Lija e Majmunit dhe Ebola/ OBSH identifikon pandemitë që mund të kërcënojnë Europën
Pas pandemisë Covid-19, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka forcuar dhe thelluar kërkimin shkencor në drejtim të patogjenëve me rrezik të lartë në shpërthimin e një pandemie në të ardhmen.
Botimi i posaçëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), “Prioritizimi i patogjenëve: Një kuadër shkencor për gatishmërinë në kërkimin e epidemive dhe pandemive” saktëson patogjenët, por edhe strategjinë globale se si duhet të mbrohet njerëzimi nga kërcënimet e ardhshme.
OBSH-ja e zhvendosi fokusin nga menaxhimi i krizave te parandalimi strategjik. Kjo do të thotë se duke studiuar një “prototip” me rrezik të lartë, shkencëtarët ndërtojnë një mburojë për të gjithë grupin e patogjenëve.
Viruset me rrezik të lartë global
OBSH-ja ka identifikuar familjet virale me rrezikshmërinë më të lartë për shkak të karakteristikave të tyre vdekjeprurëse dhe mungesës së mbrojtjes mjekësore.
OBSH-ja veçon virusin Lassa, duke vënë në dukje se ka “mungesë të kundërmasave mjekësore (MCM)” dhe se për virusin Lujo, shkalla e vdekshmërisë arrin në “80% në të vetmin shpërthim të njohur”. Virusi Lassa është një patogjen që shkakton Ethet Hemorragjike Lassa, një sëmundje virale akute dhe shpeshherë e rëndë.
Ky virus është klasifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si një nga patogjenët me rrezik të lartë dhe me potencial pandemik, për shkak të mungesës së vaksinave apo trajtimeve specifike të licencuara.
Sëmundja u zbulua për herë të parë në vitin 1969 në qytetin Lassa në Nigeri, është endemike dhe gjen përhapje të vazhdueshme në pjesë të Afrikës Perëndimore. Rezervuari natyror i virusit është një lloj i veçantë miu i Afrikës Perëndimore.
Njerëzit infektohen përmes kontaktit direkt me urinën, jashtëqitjet apo pështymën e këtyre minjve. Edhe virusi “Lujo” i së njëjtës familje ka rrezik të lartë pasi ai përhapet shumë lehtë nga njeriu te njeriu.