Portugalia dhe Italia janë destinacionet e ardhshme popullore turistike që pritet të pezullojnë përkohësisht kontrollet e reja të diskutueshme kufitare të BE-së për të shmangur kaosin gjatë pushimeve të ardhshme shkollore. Ekspertët e udhëtimit besojnë se kjo do t’i kursejë turistët britanikë nga vështirësitë e shkaktuara nga zbatimi kaotik i sistemit të ri, shkruan Daily Mail.
Greqia tashmë ka pezulluar përkohësisht rregullat e reja të Sistemit të Hyrjes/Daljes për turistët britanikë deri në shtator, pasi zbatimi i tyre shkaktoi turma të mëdha dhe vonesa. Megjithatë, edhe pse aktualisht nuk ka një vendim zyrtar për pezullimin e plotë të tij, pritet që Greqia të zbatojë rregullime praktike të përkohshme gjatë muajve të verës edhe për Serbinë, me qëllim që të zvogëlohen kolonat në kufij.
Konsullja e Përgjithshme e Serbisë në Selanik, Jelena Vujiç Obradoviç, deklaroi se, megjithëse nuk ekziston një dokument zyrtar për pezullim, ekzistojnë siguri dhe marrëveshje joformale për lehtësimin e zbatimit gjatë periudhës së trafikut më të madh turistik. Sipas deklaratave të saj, në periudhën nga 1 qershori deri më 30 gusht, pritet që sistemi të zbatohet në mënyrë fleksibile për shtetasit serbë, veçanërisht në orët me fluksin më të madh të udhëtarëve.
Gjithashtu, Oda Turistike pranë Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë i ka dërguar kërkesë Ministrisë së Turizmit të Greqisë për shtyrjen e përkohshme të zbatimit të sistemit për shtetasit e Maqedonisë në periudhën nga 1 qershori deri më 1 shtator 2026.