Himni që nuk u këndua





Nga Urim Saliu

Nga ai kongres që u quajt i “bashkimit”, në fund mbeti vetëm heshtja.
Një heshtje e rëndë, politike dhe simbolike njëkohësisht. Sepse ishte menduar të dëgjohej një himn, ndërsa në fund nuk u dëgjua asgjë nga ajo që pritej. Nuk pati emocion kombëtar. Nuk pati frymëzim. Nuk pati zë.
Dhe pikërisht aty ku duhej të ndihej pesha e përfaqësimit shqiptar, në sallë dukej sikur dikush tjetër diktonte ritmin e politikës. Nga ai kongres, fituesi më i madh nuk doli asnjë lider shqiptar. Fituesi më i madh doli Hristijan Mickoski.
Atij po i ecën gjithçka.
Po i ecën sepse ka përballë një skenë shqiptare të fragmentuar, të lodhur dhe pa identitet të qartë politik. Ndërsa të tjerët flasin për “ndryshim”, ai ndërton pushtetin e forte te tij. Ai kontrollon ritmin dhe drejtimin politik të shtetit. Dhe kjo tashmë nuk fshihet më.
Shpresa e vetme e disave ishte se dominimin e tij mund ta zbrapste Albin Kurti. Por as ai nuk arriti të ndryshojë atmosferën e atij kongresi. As ai nuk mundi ta bëjë që aty të ndihej fryma shqiptare apo të këndohej himni që pritej.
Për Kurtin është krijuar tashmë një kult politik.
Një figurë për të cilën nuk lejohet të flitet ndryshe. Kush guxon të kritikojë, kryqëzohet menjëherë. Në kohëra të tilla, heshtja bëhet më e sigurt se mendimi. Por çdo kult politik një ditë fillon të zbehet. Historia e ka treguar gjithmonë këtë.
Ironia më e madhe është se ndoshta pa dashje, vetë Kurti ndihmoi në krijimin e një aleance shqiptare që sot po përballet me realitetin brutal të pushtetit dhe kompromisit. Një aleancë që premtoi ndryshim të madh, por që po përballet me akuza për heshtje ndaj politikave diskriminuese dhe nënçmimit të shqiptarëve.
Dhe këtu nis problemi më i madh. Nëse thua sot se shqiptarët janë keq, menjëherë të etiketojnë si mbrojtës të Ali Ahmeti apo të Bashkimi Demokratik për Integrim. Por realiteti nuk lidhet me nostalgjinë për pushtetin e dikujt. Realiteti lidhet me faktin se shqiptarët ndihen më të dobët politikisht, më të përçarë dhe më pak të përfaqësuar.
Shumë nga figurat e VLEN janë njerëz që dje ishin pjesë e strukturave të tjera politike. Njerëz që ideologjinë e ndërrojnë me lehtësi sapo ndryshon pushteti. Sot janë këtu, nesër mund të jenë diku tjetër. Dhe kjo e shkatërron besimin te politika shqiptare.
Në atë kongres nuk u këndua himni shqiptar.
U dëgjua një tjetër himn: ai i Evropës.
Por pyetja mbetet pezull: çfarë raporti real ka VLEN-i me Evropën?
Sepse Evropa nuk është vetëm simbolikë dhe flamur. Evropa është standard, demokraci, mendim kritik, institucione dhe liri. Ndërsa kur sheh mënyrën si funksionon kjo skenë politike, me liderizma absolute, me kult individi dhe me heshtje të imponuar, duket sikur orientimi është diku tjetër.
Prandaj ai kongres nuk mbahet mend për bashkimin.
Do të mbahet mend për himnin që nuk u këndua dhe për faktin se nga aty doli edhe më i fortë një njeri që nuk ishte shqiptar.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo